Analistët e industrisë së sigurimeve shqyrtojnë ndikimin e mundshëm të tarifave të Presidentit Tramp te tregu i sigurimeve amerikane. Pas vendosjes së tarifave të disa niveleve me vende të ndryshme eksportuese në SHBA, tregu i aksioneve ka patur turbullira. Investitorët u përballën me diskutime mbi të panjohurat, duke u përpjekur të kuptojnë ndikimin e tyre përfundimtar. Tregu i sigurimeve, në këtë valë reflektimi, nuk bën përjashtim.
Industria, në mars, ende pa marrë jetë projekti i shpallur, reagoi me dyshim ndaj tarifave të Presidentit Tramp ndaj Kinës, Meksikës dhe Kanadasë duke e vënë theksin te efekti i mundshëm negativ i tyre në sigurimin e pronave dhe të automjeteve në SHBA.
David A. Sampson, CEO i Shoqatës Amerikane të Sigurimit të Dëmeve të Pasurive (APCIA-
American Property Casualty Insurance Association), siç citon Insurance Journal u shpreh asokohe se shoqata tregtare i pranonte tarifat si mjete efektive të qeverisë mirëpo vërente si problematik faktin se ato ishin aq të gjera, saqë është e mundur që të dëmtojnë familjet,
individët dhe pronarët e bizneseve që ato janë të destinuara të mbrojnë.
APCIA u shpreh zyrtarisht në 2 prill të këtij viti se parashihte, që konsumatorët mund të shihnin një ndikim në faturën e tyre të sigurimeve brenda një harku kohor 12-18 muaj. Ata po ashtu ishin shprehur se organizata po vlerësonte një rritje të mundshme vjetore të kostove të kërkesave të sigurimit të automjeteve personale, nga 30 miliardë dollarë deri në 60 miliardë dollarë.
Gazeta e Sigurimeve (Insurance Journal), i kishte kërkuar një reagim zyrtar shoqatës dhe ata ishin shprehur se: Duke marrë parasysh shpenzimet e siguruesve përtej kostos direkte të kërkesave, ndikimi total në tarifat e sigurimit do të jetë shumë më i lartë.
Shoqata e mbështeste këtë skenar negativ me faktin se vlerësimet ishin bazuar në të dhënat zyrtare të sigurimit. Po të mbahej parasysh sipas tyre numri i shoferëve pa sigurim, ose po të llogariteshin ata që nuk kanë mbulim për përplasjet, apo që nuk kanë një mbulim të gjerë për dëmtimin e automjetin të tyre, pritej që ndikimi total te konsumatorët amerikan të ishte edhe më i lartë.