Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare ka zhvilluar aplikacionin e llogaritësit të dëmeve ndaj personit, në rastet e aksidenteve nga mjetet motorike në sektorin e transportit.
Aplikacioni bazohet në Rregulloren nr. 125, datë 28.07.2021 “Për përcaktimin e rregullave dhe metodologjisë së llogaritjes së dëmshpërblimit që mbulohet nga kontrata e sigurimit të detyrueshëm në sektorin e transportit”, miratuar nga Autoriteti në zbatim të ligjit të ri për “Sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, i cili hyri në fuqi më 1 korrik 2021.
Ky aplikacion u vjen në ndihmë palëve përfituese, si edhe vetë profesionistëve/ekspertëve të fushës në vlerësimin e dëmit dhe trajtimin e kërkesave për dëmshpërblim. Përllogaritësi bazohet në disa supozime, vlerat e përllogaritura janë orientuese dhe synojnë të informojnë përdoruesit mbi masën e dëmshpërblimit.
Aplikacioni është ndërtuar për përllogaritjen e vlerës së dëmshpërblimit në rastet e dëmit ndaj personit me pasojë paaftësinë e përhershme për punë ose me pasojë vdekjen.
Risitë, sipas AMF, që sjell zhvillimi i këtij aplikacioni për të siguruarit dhe profesionistët e fushës janë:
• Përllogaritja automatike e vlerës së dëmit;
• Transparencë mbi vlerën e dëmit pasuror dhe dëmit jopasuror. Pasqyrimi i vlerës për çdo figurë dëmi;
• Mundësi përdorimi të aplikacionit nga ana e të dëmtuarve, si edhe profesionistëve/ekspertëve të fushës së sigurimeve, mbi bazën e disa supozimeve;
• Edukim të konsumatorëve në fushën e sigurimeve.