Autoriteti i Mbikqyrjes Financiare (AMF), me mbështetjen e Zyrës së Asistencës Teknike të Departamentit të Thesarit të SHBA, organizoi një workshop për të rritur edukimin financiar dhe njohuritë për tregun e sigurimeve.
Pjesëmarrës në këtë aktivitet ishin përfaqësues të shoqërive të sigurimit, broker në sigurime, përfaqësues të organizatave që mbështesin biznesin e vogël, si dhe studentë të degëve të ndryshme.
Aktiviteti u zhvillua në kuadër të zbatimit të Strategjisë së AMF për Edukim dhe Përfshirje Financiare, me mbështetje të Zyrës së Asistencës Teknike (OTA), të Departamentit të Thesarit të SHBA.
Ekspertja e OTA-s prezantoi në workshop gjetjet dhe rezultatet nga diskutimet e zhvilluara në grupe të vogla të punës, si edhe nga takimet me grupet e interesit, për rritjen e edukimit financiar në Shqipëri.
Diskutimet në workshop u përqendruan edhe në përcaktimin e mekanizmave efikas për rritjen e informimit publik, si edhe dhënien e këshillave për konsumatorët në sigurime, për t’i ndihmuar ata të kuptojnë rreziqet dhe të zgjedhin mbulimin e duhur të sigurimit.