Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare publikoi dje buletinin informativ për periudhën janar-shkurt 2025.
Referuar materialit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, të dhënat e përgjithshme të tregut të sigurimeve për periudhën janar-shkurt 2025, paraqiten si vijojnë: 67.16% në sigurime motorike, 16.52% në pronë dhe 16.32% sigurime për jetë dhe shëndet.
Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-shkurt 2025 kapën vlerën 3,810 milionë lekë, ose 6.88% më shumë se në janar-shkurt 2024.
Gjatë periudhës janar-shkurtit 2025, siç mësohet nga i njëjti raport, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 233,537. Ky numër paraqet një rritje prej 14.13% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 90.53% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e Jetës kanë 9.43% dhe risigurimi me 0.041%.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 39.79% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 60.21% të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-shkurt 2025, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 1,269 milionë lekë, ose 1.28% më pak se në janar-shkurt 2024.
Dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-shkurt 2025 kapën vlerën 965 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 18.42% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.