Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), Mimoza Kaçi, mori pjesë në tryezën e diskutimit “Eastern Cooperation Meeting – Insurance Regulation on the Path to European Integration”, organizuar nga Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve Profesionale (EIOPA) në Tiranë.
Ky aktivitet kishte për qëllim shkëmbimin e përvojave ndërmjet autoriteteve rregullatore të vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe atyre kandidate, në fushën e sigurimeve dhe pensioneve private.
Znj. Kaçi mbajti edhe një fjalë në këtë takim, ku në cilësinë e negociatores për Kapitullin 9 “Shërbimet Financiare”, u ndal në ecurinë e tregut të sigurimeve në Shqipëri, duke e vlerësuar si një treg në zhvillim që po ecën me ritme pozitive drejt përafrimit me standardet europiane.
Ajo evidentoi ngjashmëritë dhe sfidat e përbashkëta që hasin vendet kandidate në këtë proces, si dhe rolin e rëndësishëm që EIOPA luan në mbështetjen teknike dhe institucionale të këtyre vendeve.
Në takim u diskutua mbi iniciativat rajonale për forcimin e kapaciteteve mbikëqyrëse dhe nevojën për reforma që synojnë përafrimin me acquis të Bashkimit Europian.
Pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e forcimit të stabilitetit financiar, mbrojtjes së konsumatorëve dhe zhvillimit të qëndrueshëm të tregut të sigurimeve si prioritete kyçe drejt integrimit europian.
Në aktivitet morën pjesë përfaqësues të lartë të institucioneve europiane dhe ndërkombëtare, ndër ta Petra Hielkema, Kryetare e EIOPA-s; Vygandas Jankunas nga DG FISMA pranë Komisionit Europian; Danita Pattemore, eksperte e Bankës Botërore; dhe Peter Braumuller nga Autoriteti Austriak i Mbikëqyrjes së Tregut Financiar.
Pjesëmarrja e AMF-së në këtë takim konfirmon rolin proaktiv dhe angazhimin e Autoritetit në proceset e bashkëpunimit rajonal dhe europian, si dhe në forcimin e tregut financiar shqiptar në përputhje me standardet e BE-së.




