Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), në ushtrim të kompetencave të tij ligjore për mbrojtjen e interesave të investitorëve dhe ruajtjen e integritetit të tregjeve nën mbikëqyrje, informon publikun mbi veprimtarinë e paligjshme të platformës TXEX, si dhe të platformave të ngjashme XUEXA dhe GROKREXDUU.
Këto subjekte nuk janë të licencuara apo të autorizuara nga AMF për të ofruar shërbime investimi në Republikën e Shqipërisë.
Nga informacionet e siguruara rezulton se këto platforma paraqiten si aplikacione investimi që u ofrojnë përdoruesve të ashtuquajtura “sinjale blerjeje” për kripto-asete, duke krijuar përshtypjen tek investitorët se mund te ndikojnë mbi çmimet dhe të realizojnë përfitime.
Ky mekanizëm në tërësinë e tij është fiktiv dhe nuk pasqyron veprime reale të kryera.
Kjo veprimtari bie ndesh me legjislacionin në fuqi dhe përbën vepër mashtruese që cënon drejtpërdrejt interesat e investitorëve shqiptarë.
AMF, deri më sot, nuk ka licencuar apo autorizuar asnjë subjekt për të operuar në këto tregje në përputhje me Ligjin nr. 66/2020 “Për tregjet financiare të bazuara në teknologjinë e regjistrave të shpërndarë”.
Lista e subjekteve të licencuara nga Autoriteti ndodhet në rubrikën “Regjistri i të Licencuarve” në faqen zyrtare të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare.