Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare organizoi një tryezë diskutimi për përafrimin e kuadrit ligjor dhe rregullator shqiptar me rregulloren e Bashkimit Evropian për infrastrukturën e tregut (EMIR), si dhe hartimin e një strategjie gjithëpërfshirëse për zhvillimin e tregut të derivativëve në Shqipëri.
Në aktivitet morrën pjesë përfaqësues të Autoritetit, Bankës së Shqipërisë, aktorë të tregut, ekspertë vendas dhe ndërkombëtarë të fushës, të cilët ndanë qëndrime dhe rekomandime mbi nevojat dhe perspektivat për zhvillimin e këtij segmenti të tregut.
Në fjalën e mbajtur në hapje të aktivitetit, Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e Autoritetit, znj. Mimoza Kaçi, në cilësinë e Kryenegociatores të Kapitullit 9 “Shërbimet financiare”, vlerësoi rëndësinë e këtij projekti për forcimin dhe modernizimin e tregjeve financiare në vend.
“Tregu i instrumenteve derivativë, i cili sot mungon në Shqipëri, përfaqëson një segment kyç në ndërtimin e një tregu kapitalesh më të zhvilluar dhe konkurrues. Roli i tij është thelbësor për menaxhimin e rrezikut, mbrojtjen ndaj luhatjeve të normave të interesit dhe forcimin e stabilitetit financiar në tërësi,” – u shpreh znj. Kaçi.
Aktiviteti përfaqëson një zhvillim të rëndësishëm në vijim të përmbushjes së angazhimeve të Autoritetit në kuadër të procesit të integrimit në Bashkimin Evropian krijimin e një tregu financiar të zhvilluar, të qëndrueshëm dhe në përputhje me standardet e BE-së.