Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare zhvilloi një tryezë diskutimi “Mbi zhvillimin e tregjeve të kapitalit”, pas miratimit nga Këshilli i Ministrave të Dokumentit të Politikave “Për krijimin e një mjedisi mundësues për zhvillimin e tregjeve të kapitalit në Shqipëri, 2023-2027”.
Të pranishëm në këtë tryezë ishin Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i AMF, Ervin Mete, Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj, Guvernatorja e parë e Bankës së Shqipërisë, Luljeta Minxhozi, drejtues të bankave tregtare, fondeve të investimeve, Bursës, si edhe aktorë të tjerë të tregjeve të kapitalit.
Në fjalën e mbajtur, Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv u ndal te rëndësia e zhvillimit të tregjeve të kapitalit si burim potencial ende i pashfrytëzuar për diversifikimin e alternativave të investimit, si edhe të mundësive të financimit.
Mete u shpreh se Dokumenti i Politikave është një strategji për zhvillimin e tregjeve të kapitalit, me objektiva konkretë, i cili kërkon ndërveprimin e të gjithë aktorëve me rol kyç, si Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, Ministria e Financave dhe Ekonomisë, Banka e Shqipërisë, si edhe operatorët e tregut.
“Objektivat kryesorë strategjikë të dokumentit janë: rritja e pjesëmarrjes së emetuesve, listimi i kompanive me kapital shtetëror, zgjerimi i bazës së investitorit dhe zgjerimi i gamës së instrumenteve financiare, siç janë instrumentet e gjelbra (green), eficienca dhe transparenca e tregut të kapitaleve, si edhe zhvillimi i tregut sekondar të Titujve. Dokumenti analizon situatën e tregut të kapitaleve në Shqipëri dhe infrastrukturën e tij, duke propozuar ndërmarrjen e planeve konkrete të veprimit për zhvillimin e tregut të kapitaleve përgjatë një periudhe 5-vjeçare.
Ligjet e reja për tregjet e kapitalit dhe sipërmarrjet e investimeve kolektive, të cilat harmonizojnë legjislacionin tonë me atë të Bashkimit Evropian, kanë përmirësuar ndjeshëm kuadrin e nevojshëm ligjor, plotësuar tashmë me të gjitha aktet e nevojshme nënligjore. Kuadri ligjor, në linjë me Direktivat Evropiane, si edhe plotësimi tërësor i infrastrukturës së tregtimit dhe pastregtimit, kanë krijuar të gjitha kushtet për zhvillimin e mëtejshëm të tregjeve të kapitalit. Ligjet e reja kanë zgjeruar alternativat e investimit, mundësitë e ndërlidhjes me tregjet globale, si edhe ofrimin e një game të gjerë të instrumenteve financiare”.
“Miratimi i ofertës së parë publike është një moment shumë i rëndësishëm për tregun shqiptar të kapitalit, i cili duhet të shërbejë si një sinjal për zhvillimin e mëtejshëm të këtij tregu. Kjo është hera e parë që titujt e një shoqërie i ofrohen publikut të gjerë, duke shtuar kështu alternativat e investimit për investitorin shqiptar, si edhe mundësitë për sigurimin e aksesit në kapital për biznesin vendas“, u shpreh Mete.
Ndërkohë, ministrja e Financave Delina Ibrahimaj tha se janë miratuar ligje për zhvillimin e tregjeve të kapitalit.
“Kemi miratuar ligje për zhvillimin e tregjeve të kapitalit. Sh.a shtetërore duhet të bëjnë ofertat e tyre publike”.