Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka publikuar për konsultim publik projektligjin “Për kërkesat e transparencës për emetuesit e titujve”.
Nisma, sipas vetë institucionit, synon të harmonizojë plotësisht legjislacionin shqiptar me kuadrin e Bashkimit Evropian për transparencën në tregjet e kapitalit.
Konsolidimi i infrastrukturës ligjore të tregut të rregulluar në Shqipëri, standarde të forta e të mirëpërcaktuara për publikimin e informacionit periodik dhe të vazhdueshëm nga emetuesit, titujt e të cilëve janë pranuar për tregtim në një treg të rregulluar, janë disa nga objektivat e projektligjit.
Projektligji standardizon raportimin financiar dhe e afron atë me BE-në, forcon transparencën mbi strukturën e pronësisë, integron raportimin e qëndrueshmërisë në kuadrin e tregut të kapitalit, rrit përgjegjësinë e organeve drejtuese për saktësinë e informacionit dhe konsolidon rolin e AMF si autoritet mbikëqyrës me kompetenca të qarta kontrolli. Në një treg kapitali që ende është në fazë zhvillimi, krijon bazën për rritjen e besimit të investitorëve institucionalë dhe të huaj, si dhe për nxitjen e listimeve të reja në tregun e rregulluar.
AMF fton aktorët e tregut, përfshirë emetues, auditues, shoqëri komisionere, investitorë institucionalë dhe ekspertë, të paraqesin komentet dhe sugjerimet e tyre. Nëse miratohet në formën aktuale, ligji pritet të shënojë një reformë strukturore në transparencën e tregut shqiptar të kapitalit dhe një hap të qartë drejt integrimit financiar evropian.




