Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare do të mirëpresë në Tiranë Konferencën Vjetore të Organizatës Ndërkombëtare të Mbikëqyrësve të Sigurimeve (IAIS), ngjarjen më prestigjioze në nivel global në fushën e sigurimeve.
Konferenca do të mbahet më 13 nëntor, në ambientet e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit.
Pritet pjesëmarrja e rreth 500 përfaqësuesve të nivelit të lartë nga autoritetet rregullatore të sigurimeve, nga industria ndërkombëtare e sigurimeve, si dhe nga institucione financiare ndërkombëtare si Banka Botërore, Fondi Monetar Ndërkombëtar, OECD, Bashkimi Evropian dhe EIOPA (Autoriteti Evropian i Sigurimeve dhe Pensioneve).
Aktiviteti i plotë do të zhvillohet përgjatë javës 10–14 nëntor 2025.
Gjatë tre ditëve të para të javës do të zhvillohen mbledhjet e komiteteve teknike të IAIS, me pjesëmarrjen e rreth 230 drejtuesve të autoriteteve rregullatore nga mbi 150 vende.
Në kuadër të aktivitetit janë planifikuar edhe takime bilaterale ndërmjet autoriteteve mbikëqyrëse, si dhe takime të veçanta ndërmjet drejtuesve të kompanive ndërkombëtare të sigurimeve, me qëllim krijimin e hapësirave për bashkëpunim dhe dialog strategjik në nivel drejtues të industrisë.
Një nga aktivitetet kryesore të javës do të jetë Forumi i EIOPA-s, me temë: “Advancing Insurance Reforms on the Path to European Integration”, i cili do të fokusohet në sfidat dhe mundësitë që sjell procesi i integrimit evropian për vendet kandidate, në përputhje me objektivat strategjikë të Shqipërisë në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Drejtoresha e Përgjithshme Ekzekutive e AMF-së, znj. Mimoza Kaçi,e cilëson këtë ngjarje jo vetëm një moment historik, por edhe një mundësi për forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe për prezantimin e Shqipërisë si partner në fushën e mbikëqyrjes së tregut të sigurimeve.
Ky organizim vjen në një moment të rëndësishëm për tregun shqiptar të sigurimeve, duke mbështetur proceset reformuese dhe integruese, me synim forcimin e institucioneve dhe të sektorit financiar, në përputhje me standardet evropiane.
Pas Tokios në vitin 2023 dhe Cape Town-it në vitin 2024, përzgjedhja e Shqipërisë si vend mikpritës për edicionin e vitit 2025 është një vlerësim i rëndësishëm për vendin dhe për Autoritetin e Mbikëqyrjes Financiare si institucionin rregullator dhe mbikëqyrës