Një aksident i rëndë mes një ambulance dhe një autobusi me fëmijë ka ndodhur në Itali. Si pasojë e kësaj ngjarje kanë humbur jetën katër persona dhe janë plagosur lehtë shtatë të tjerë. Mes viktimave është edhe një mjek shqiptar.
Sipas asaj që shkruajnë mediat italiane ngjarja ndodhi në tunelin Ca Gulino, në rrugën mes Urbino dhe Fossombrone. Ambulanca u përplas me autobusin dhe më pas mori flakë.
Katër pasagjerët në ambulancë nuk mundën të mbijetonin.
Ata janë mjeku shqiptar Sokol Hoxha, 41 vjeç, Stefano Sabbatini, 59 vjeç, Cinzia Mariotti 48 vjeçe, të dy infermierë dhe Alberto Sergilippi, 85 vjeç. Ky i fundit po transportohej me ambulancë në një ndërhyrje mjekësore rutinë.
Mes të plagosurve janë katër fëmijë dhe tre shoqërues të tyre. Ata kanë marrë lëndime të lehta dhe pritet që të dalin shumë shpejt nga spitali.
Mediat shkruajnë se shoferi i autobusit është në shok.
Dyshohet se ambulanca ka hyrë në korsinë e gabuar gjatë një kthese në tunel. Megjithatë hetimi i policisë pritet që të hedhë dritë të plotë në lidhje me këtë ngjarje. Si pasojë e ngjarjes, qarkullimi i mjeteve u ndalua.
Sipas mediave, fëmijët ishin në një ekskursion në zonën historike dhe fetare të Urbinos. Edhe mes familjarëve të tyre ka patur momente frike gjatë këtyre orëve.
Dioqeza e San Benedetto-Ripatransone-Montalto Marche shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave. Reagime të shumta ka pasur edhe nga përfaqësues të institucioneve të ndryshme në Itali.