Qeveria shqiptare do të zhvillojë këtë muaj një ankand të ri të obligacioneve me maturim 15-vjeçar.
Sipas Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë, shuma e planifikuar e obligacioneve për t’u nxjerrë në shitje në ankandin e datës 20 shkurt do të jetë 2 miliardë lekë.
Obligacionet 15-vjeçare janë titujt e borxhit më afatgjatë të emetuara ndonjëherë nga qeveria shqiptare dhe u emetuan për herë të parë në nëntor 2021.
Në ankandin e fundit të organizuar në tregun primar (ankand rihapjeje), në nëntor të vitit të kaluar, obligacionet 15-vjeçare u shitën me një yield uniform të pranuar prej 8.95%, që përfaqëson nivelin më të lartë në historinë e shkurtër të këtyre instrumenteve.
Shuma e shpallur për financim nga Ministria e Financave në këtë ankand ishte 1 miliardë lekë, ndërsa vlera totale e kërkesave të paraqitura nga investitorët arriti në 1.44 miliardë lekë.
Yield-i maksimal i kërkuar nga investitorët në ankand arriti deri në 10%, por kërkesa e kënaqshme i ka mundësuar Ministrisë së Financave ta realizojë shumën e plotë të huamarrjes me një yield uniform më të ulët.
Ankandi u zhvillua në një periudhë kur rritja e yield-eve arriti pikun e vet, e nxitur nga rritja e shpejtë e normës bazë të interesit nga Banka e Shqipërisë. Në periudhën dhjetor 2022-janar 2023 yield-et kanë shënuar rënie, si për bonot, ashtu edhe për obligacionet.
Megjithatë, ankandi i ri obligacioneve 15-vjeçare ngelet një alternativë e mirë për investitorët që synojnë kthime të larta kundrejt investimeve financiare afatgjata. Ato janë një mundësi e mirë për investitorët institucionalë, si bankat apo fondet e investimit dhe sidomos ato të pensioneve, që synojnë të rrisin kthimet afatgjata të portofoleve të tyre.
Por, obligacionet 15-vjeçare me siguri kanë qenë një alternativë joshëse edhe për investitorët e vegjël. Rritja e yield-eve vitin e kaluar solli një interes të lartë të individëve për të investuar në instrumentet e borxhit të qeverisë shqiptare.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se për vitin 2022 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë.
Prej tetorit të vitit 2022, Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka vendosur të ulë shumën minimale të pjesëmarrjes në ankandet e obligacioneve në 300 mijë lekë, nga 500 mijë lekë që ishte më parë. Pjesëmarrja në ankandet e obligacioneve mund të bëhet nëpërmjet bankave tregtare të licencuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) si shoqëri komisionere për investimin në tituj.
Bankat e licencuara për këtë shërbim aktualisht janë ABI Bank, BKT, Credins Bank, Fibank, Intesa Sanpaolo Bank, OTP Bank, Raiffeisen Bank, Tirana Bank dhe Union Bank.
Për shuma deri në 50 milionë lekë, investitorët mund të paraqiten në ankande me kërkesa konkurruese ose jo konkurruese, por çdo kërkesë vlera e së cilës kapërcen shumën 50 milionë lekë klasifikohet si kërkesë konkurruese pavarësisht subjektit pjesëmarrës në ankand. Kërkesat jokonkurruese pranohen me yield-in mesatar të kërkesave të pranuara konkurruese.
Sipas udhëzimit, shuma e ofruar e obligacioneve ndahet me 20% për kërkesat jokonkurruese dhe 80% për kërkesat konkurruese. Në rast se shuma totale e kërkesave jokonkurruese nuk e plotëson masën 20%, atëherë diferenca e paplotësuar ofrohet për kërkesat konkurruese.
Në rastin kur shuma totale e kërkesave jokonkurruese e kalon kufirin e përcaktuar të 20%, atëherë mbi këtë shumë zbatohet pro rata (përpjesëtimi).
Në rast se shuma e kërkesave konkurruese të kërkuara nuk e plotëson masën 80%, atëherë diferenca e paplotësuar u ofrohet kërkesave jokonkurruese./Monitor