Mbeten ende të paqarta rrethanat e aksidentit që ndodhi mbrëmjen e së dielës dhe që i mori jetën 4 shqiptarëve, mes të cilëve 3 fëmijë të mitur.
Sipas asaj që raportojnë mediat, në asfalt nuk ka shenja frenimi.
Zona ku ndodhi aksidenti është këqyrur nga autoritetet të cilat po mundohen që të përcaktojnë dinamikën e plotë të aksidentit. Tashmë, ata kanë përcaktuar trajektoren që ka ndjekur makina pas humbjes së kontrollit, e deri tek përplasja me ndërtesën e pabanuar.
Katër jetë njerëzish u shuan si pasojë e asaj përplasje. Shane Hyseni, 22 vjeçe, djali i saj i vogël, vetëm 2 vjeç, Mattias Lame, si dhe motra e vëllai i 22-vjeçares, 11-vjeçari Resat Hyseni dhe 8-vjeçarja Rejana Hyseni. Trupat e pajetë janë dërguar në morgun në Coviolo.
Makina tip “Fiat” drejtohej nga Orjol Lame, partneri i 22-vjeçares. Ai i ka shpëtuar aksidentit, por është në gjendje të rënë në spital. Si pjesë e hetimeve është parashikuar edhe një tekst toksikologjik ndaj tij. Po ashtu, do të verifikohet edhe vlefshmëria e sigurimit të makinës, e cila u shkatërrua e tëra si pasojë e përplasjes.
Operacioni i zjarrfikësve për nxjerrjen e trupave të pajetë zgjati me orë të tëra dhe ka qenë i vështirë. Sipas asaj që shkruajnë mediat, Lame, së bashku me bashkëshorten Shane, jetonin në Cade, disa kilometra larg vendit ku ndodhi tragjedia. Motra dhe vëllai i 22-vjeçares jetoni në Parma së bashku me prindërit.
Për momentin, 22-vjeçarja ishte e papunë dhe kujdesej për të birin. Nga ana tjetër, Lame nuk kishte një punë fikse, por punonte në ndërtim. Mamaja e tre fëmijëve kaloi një gjendje të rëndë pasi dëshmoi vdekjen e tyre. Ajo u dërgua në spital nga doktorët që ndodheshin në vendin e aksidentit.
Kjo ngjarje ka tronditur edhe banorët e zonës.
“Kemi dëgjuar një zhurmë të madhe, më pas nuk kemi parë asgjë. Kjo është një ngjarje që të fut frikën. Unë banoj disa metra më larg dhe kam dy fëmijë që shkojnë në shkollë. Kam frikë t’i dërgoj në shkollë. Është një rrugë që duket si autostradë këtu”, tha një qytetar.