Pronësia intelektuale e këtij artikulli i takon Monitor.al
Aksidentet kanë shënuar ulje në muajin e parë të vitit duke regjistruar një total prej 96. Të dhënat zyrtare të publikuara nga Instituti Statistikave(INSTAT) tregojnë se janë të paktën 149 persona të përshirë në këto aksidente.
“Në muajin janar 2026 janë regjistruar 96 aksidente rrugore, në të cilat 149 persona kanë mbetur të aksidentuar (të vrarë dhe të plagosur). Në muajin janar 2026, numri i aksidenteve rrugore është ulur me 23,2 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare” thuhet në publikim.
Ndërkohë të dhënat e përpunuara tregojnë se shkak u aksidenteve vijon të mbetet në rastet më të shumta sjellja e drejtuesve të jetëve ndërkohë që shoferët më problematikë mbeten ata të grupmoshës 25-34 vjeç.
“Gjatë muajit Janar 2026, 85,4 % e aksidenteve rrugore kanë ndodhur si pasojë e sjelljes së drejtuesve të mjeteve. Grup-mosha 25–34 vjeç paraqet numrin më të lartë të aksidenteve, duke përbërë 31,3 % të numrit gjithsej të aksidenteve të regjistruara në këtë periudhë. Numri më i lartë i aksidenteve rrugore, sipas ditëve të javës, është shënuar ditën e premte me 21,9 %, ndërsa numri më i ulët është regjistruar ditën e martë me 6,3 %.
Numri më i lartë i aksidenteve rrugore është regjistruar përgjatë harkut kohor 19:00–24:00, duke përbërë 24,0 % të numrit total të aksidenteve rrugore” thuhet në publikimin e INSTAT.




