U përfshive në një aksident të shkaktuar nga kushtet e rrugës dhe ke siguracion në SIGAL? Ja çfarë duhet të bësh. Mbro të drejtën tënde dhe kërko me çdo kusht që versionin tënd, atë që aksidenti erdhi si pasojë e shmangies së problematikës së rrugës, ta shkruash, ta dokumentosh.
Nëse aksidenti ka ardhur si pasojë e gropave, rënies së gurëve apo pengesave të tjera në rrugë, ngrica etj., siguracioni yt TPL dëmshpërblen palën e tretë. Më pas, kompania i drejtohet me regres autoritetit rrugor ose kompanisë koncesionare që mirëmban segmentin nëse vërtetohet që shkaktari nuk keni qenë ju.
Por kjo bëhet vetëm nëse shkaku pasqyrohet qartë nga Ju në procesverbal.
Mos e firmos procesverbalin policor pa e lexuar. Mos e merr fajësinë padrejtësisht, sepse deri në një vendim gjykate do të rezultosh ti shkaktar dhe do të prekesh nga sistemi Bonus-Malus, duke u regjistruar me dëm dhe duke figuruar në regjistër dëmesh si shkaktar, pa qenë. Siç mund ta dini, kjo sjell edhe efekt rëndues financiar.
Kërko të shënohet versioni yt në procesverbal. Nëse policia nuk e përfshin, shtoje me shkrim para se ta firmosësh.
Nëse gjykata vendos se përgjegjës është mirëmbajtësi i rrugës ose Autoriteti Rrugor Shqiptar, atëherë njoftohet Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare për korrigjimin e regjistrit të dëmeve dhe ti nuk do të figuron më në malus, si shkaktar aksidenti. Historiku yt do të pastrohet në sistem.
Ndërkohë, kompania e sigurimit do ta ndjekë me padi regresi subjektin përgjegjës për të rikuperuar shumën e paguar.
Mbro të drejtën tënde që në momentin e parë. Procesverbali është çelësi. Ti dhe kompania jote e sigurimeve jeni ortakë. Nëse nuk ke qenë fajtori, mbrohu përmes të drejtës tënde. Mbro historikun e emrit tënd në sistemin e dëmeve në AMF, mbro kompaninë tënde të sigurimeve që do të jetë pranë teje kur askush tjetër të mos mundet.




