Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen, si ai i ndodhur së fundmi në Roskovec, trondit jo vetëm komunitetin, por sjell edhe një pyetje të natyrshme: a mund të marrin familjarët mbështetjen financiare që u takon në situata kaq të dhimbshme?
Familjarëve të viktimës u lind e drejta të kërkojnë dhe përfitojnë dëmshpërblim nga siguracioni i mjetit që shkaktoi aksidentin.
Koncepti i fajësisë këtu është kyç, sepse kompania e sigurimeve ka të drejtë të rimbursojë të gjithë masën e paguar për dëmet, interesat dhe shpenzimet nga personi përgjegjës për dëmet.
Çfarë dëmshpërblimesh jepen në rast vdekjeje?
Ligji parashikon që familjarët mund të marrin:
1. Dëmshpërblim pasuror
Humbja e të ardhurave që viktima do të sillte për familjen. Kjo llogaritet duke parë të ardhurat e viktimës dhe moshën e saj (sa vite pune i kishin mbetur). Nga të ardhurat zbritet një pjesë që llogaritet si konsum personal i viktimës. Pjesa tjetër llogaritet si humbje për familjen. Sa më i ri dhe me të ardhura më të larta të jetë viktima, aq më i madh është dëmshpërblimi.
2. Shpenzimet e varrimit
Ligji jep një shumë fikse prej 300,000 lekësh për shpenzimet e varrimit.
3. Dëmi moral dhe ekzistencial
Ky është dëmshpërblim për dhimbjen, tronditjen emocionale dhe ndryshimin e jetës së familjarëve.
Deri në 220,000 lekë për secilin prind, fëmijë ose bashkëshort dhe gjysma e kësaj shume për motrat ose vëllezërit, është masa e dëmshpërblimit për dëm moral.
E njëjta skemë vlen edhe për dëmin ekzistencial, me të njëjtat shpenzime.
Dokumentet që duhen
Përveç dokumenteve të zakonshme, kërkohen edhe skeda e vdekjes, certifikata e vdekjes dhe akti i trashëgimtarëve.
Ku duhet bërë kërkesa?
Familjarët mund t’i drejtohen:
Kompanisë së sigurimit të mjetit që shkaktoi aksidentin,
ose
Byrosë Shqiptare të Sigurimit në rastet kur ligji e parashikon.
Po nëse mjeti që shkakton aksidentin është i paidentifikuar ose i pasiguruar?
Edhe në këtë rast, dëmshpërblimi është i mundur.
Familjarët e të dëmtuarit duhet t’i kërkojnë zyrtarisht Byrosë së Sigurimeve hapjen e procesit.




