Një aksident i frikshëm ka ndodhur paraditen e sotme në aksin rrugor Devoll-Korçë, ku një automjet ka dalë nga rruga dhe është përplasur me barrierat anësore, e për pasojë ka mbetur i plagosur një person.
Ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Çiflig te kryqëzimi i impiantit të trajtimit të ujërave të ndotura.
Një 21-vjeçar, nga fshati Biranj ka qenë duke udhëtuar i vetëm me mjetin “Ford” nga Devolli në drejtim të Korçës kur është përplasur me barrierat mbrojtëse duke sjellë edhe aksidentin që ka përfunduar me plagosjen e rëndë të drejtuesit të mjetit.
Sipas ekspertëve të policisë rrugore, 21-vjeçari ka humbur kontrollin e mjetit dhe është përplasur me barrierat metalike duke shkaktuar një aksident të frikshëm edhe për vetë ekspertët.
Përplasja ka qenë aq e fortë sa mjeti është shkatërruar plotësisht aq sa pjesët motorike dhe jo vetëm kanë fluturuar në anën tjetër të rrugës.
21-vjeçari ndodhet në spitalin e Korçës nën kujdesin e mjekëve.
Shkak i humbjes së kontrollit të mjetit sipas ekspertëve të qarkullimit rrugor mendohet të jetë shpejtësia tej normave të lejuara, përdorimi i telefonit ose përgjumja.
Ky segment rrugor ka pasur disa aksidente të ngjashme edhe në kushte kur nuk mungon sinjalistika vertikale dhe horizontale.