Më datën 25 nëntor 2025, rreth orës 12:45, në aksin rrugor të fshatit Kotë, në zonën e Drashovicës, një automjet tip Ford i drejtuar nga shtetasi A.ZH humbi kontrollin dhe u përplas me një mjet të Policisë Bashkiake Selenicë, tip Hyundai, i cili ishte i ndaluar në anë të rrugës për shkak të një defekti teknik. Në brendësi të mjetit të parkuar ndodheshin dy punonjës, T.J. dhe R.K., të cilët pësuan dëmtime, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Ky rast ngre natyrshëm pyetjen: cilat sigurime aktivizohen në një aksident të tillë?
Sipas praktikës së sigurimeve dhe legjislacionit në fuqi, në këtë rast aktivizohen disa shtresa sigurimesh, në varësi të përgjegjësisë dhe rolit që ka secili mjet në aksident.
Siguracioni i parë që aktivizohet është sigurimi i detyrueshëm ndaj palëve të treta (TPL) i mjetit Ford.
Ky është sigurimi kryesor që vihet në lëvizje. Meqenëse automjeti Ford ka shkaktuar përplasjen, sigurimi i tij TPL mbulon: dëmtimet trupore të dy punonjësve të Policisë Bashkiake, shpenzimet mjekësore dhe çdo pasojë shëndetësore të aksidentit, dëmtimet materiale të mjetit Hyundai, çdo pasojë tjetër të lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen. TPL është instrumenti themelor që garanton dëmshpërblimin kur një mjet dëmton palë të treta, si në këtë rast.
Sigurimi KASKO i mjetit Ford, nëse ai mjet e ka një siguracion të tillë
Nëse pronari i Ford-it ka një policë KASKO, dëmet në automjetin e tij mbulohen pavarësisht fajit. Pas dëmshpërblimit, kompania e KASKO-s ka të drejtë regresi ndaj TPL-së së të njëjtit mjet, por ky proces është i brendshëm midis kompanive dhe nuk prek të siguruarin.
Sigurimi i aksidenteve në punë për punonjësit, nëse i kanë
Punonjësit e Policisë Bashkiake, duke qenë në krye të detyrës në momentin e aksidentit, nëse do të kishin një siguracion për sigurimin nga aksidentet në punë, në këtë rast do të mbuloheshin edhe nga sigurimi nga aksidentet në punë që institucionet publike duhet të kenë për personelin e tyre. Ky sigurim mbulon shpenzimet mjekësore, paaftësinë e përkohshme për punë, dëme shëndetësore afatgjata, sipas kontratës së sigurimit.
Edhe pse TPL i mjetit Ford është mbuluesi kryesor, sigurimi i aksidenteve në punë aktivizohet paralelisht dhe mund të kërkojë regres ndaj TPL-së.
Aksidenti në Kotë aktivizon automatikisht sigurimin TPL të mjetit Ford si mbulimin kryesor për të gjitha dëmet e shkaktuara. Krahas tij, mund të vihet në funksion KASKO e secilit prej mjeteve, si dhe sigurimi i aksidenteve në punë për punonjësit e policisë bashkiake. Këto mbulimet shtesë sigurojnë që çdo dëm material apo shëndetësor i shkaktuar nga ngjarja të përballohet plotësisht dhe pa vonesa.




