Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar me vendimin nr. 102/2025, datë 4 dhjetor 2025, emërimin e znj. Adela Xhemali si anëtare e Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare (AMF), e cila do të ushtrojë funksionin e Drejtoreshës së Përgjithshme Ekzekutive.
Në ambientet e AMF-së u zhvillua ceremonia zyrtare e prezantimit të saj, me pjesëmarrjen e Kryetares së Komisionit për Ekonominë, Punësimin dhe Financat, znj. Milva Ekonomi, anëtarëve të Bordit, drejtuesve të institucionit dhe znj. Mimoza Kaçi, Drejtoreshë në përfundim të mandatit.
Në fjalën e saj, znj. Ekonomi theksoi rëndësinë e drejtimit të qëndrueshëm të Autoritetit në kushtet e sfidave të integrimit evropian dhe nënvizoi rolin kyç të mbikëqyrjes së tregjeve financiare jobankare në përputhje me standardet e BE-së, si dhe domosdoshmërinë e forcimit të transparencës dhe besueshmërisë institucionale.
Znj. Kaçi vlerësoi progresin e bërë nga AMF gjatë viteve dhe sfidat që mbeten për t’u adresuar.
Drejtoresha e re, znj. Xhemali, falënderoi Kuvendin për besimin e dhënë dhe theksoi se integriteti dhe përgjegjshmëria do të udhëheqin punën e institucionit. Ajo theksoi se prioritetet e së ardhmes do të jenë avancimi i procesit të integrimit evropian, zhvillimi teknologjik dhe inovacioni, forcimi i transparencës, standardeve të mbikëqyrjes dhe mbrojtjes së konsumatorit.
“Kombinimi i përvojës së konsoliduar me energjinë e brezit të ri do të forcojë kapacitetet dhe rolin e institucionit”, u shpreh ajo.
AMF riafirmoi angazhimin për të garantuar stabilitet financiar, transparencë dhe rritje të besimit në tregjet financiare jobankare, në funksion të mbrojtjes së konsumatorëve dhe investitorëve.




