Puntatën e mbrëmshme të emisionit A2 Business u bë një bilanc i veprimeve të ndërmarra dhe të papërmbushura në këto 3 vitet e fundit pas tërmetit të 26 nëntorit.
Kjo temë vjen në vëmendje pas tërmetit shkatërrues që goditi Turqinë dhe Sirinë më 6 shkurt.
I pyetur nëse Shqipëria nxori mësime nga tërmeti, sa i përket mënyrës dhe cilësisë së ndërtimeve, inxhinieri Luan Myrtaj thotë se për fat të keq përgjigja është negative.
Sipas tij, lëkundjet që goditën vendin më 26 nëntor nuk ishin aq shkatërruese sa të linin pas dëmin që lanë, dhe kjo nxori në pah ndërtimet me cilësi të dobët.
Por, megjithatë, inxhinieri i ndërtimit thotë se situata sërish është neglizhuar.
“Ai lloj tërmeti, ndërtesat nuk i hedh kollaj. Dhe, duke qenë se nuk i hedh kollaj, edhe politikanët nuk kanë ndonjë nxitim të madh që të marrin masa ekstreme. Duke pasur edhe zëra lart e poshtë, se tërmeti i radhës do të paktën 100 vite që të bjerë, këtu janë nxjerrë mësime negative. Që të reagosh ndaj një fatkeqësie duhet ta njohësh fatkeqësinë dhe kjo “tek shqiptarët si popull nuk ndodh”.
LEXO EDHE: Nga Tetori 1851 në Nëntor 2019/ 11 tërmetet më të fuqishme në historinë e Shqipërisë
Por përveç cilësisë së ndërtimeve, një tjetër hallkë e dobët e Shqipërisë është edhe sigurimi i pronës nga fatkeqësitë natyrore që vijon të mbetet në shifra shumë të vogla.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se për vitin 2022, primet e shkruara bruto për sigurimin e pronave nga katastrofat kishin vlerën e 1.82 miliardë lekëve, ose më pak se 16 milionë euro.
Shpenzimi mesatar për frymë për sigurimin e pronës nga fatkeqësitë natyrore vlerësohet në më pak se gjashtë euro për frymë ose më pak se 21 euro për familje. Pa harruar këtu që në pjesën dërrmuese, kontratat janë të lidhura me detyrimin e vendosur nga bankat për sigurimin e pronave të lëna si kolateral dhe me sigurimet në segmentin e biznesit.
Sipas shifrave të INSTAT, numri i përgjithshëm i familjeve në Shqipëri është rreth 765 mijë, ndërsa lidhur me numrin e banesave të dhënat më të fundit janë ato të Censusit 2011, ku u regjistruan rreth 1.075 milionë banesa.
Megjithëse tendencat demografike kanë një prirje të qartë rënëse që nga Censusi i fundit, numri i banesave vlerësohet të ketë pësuar një rritje të ndjeshme, sidomos pas bumit të ndërtimit të viteve të fundit, i përqendruar kryesisht në kryeqytet dhe në zonat bregdetare.
Sipas statistikave, numri total i kontatave të sigurimit për dëmet në pronë (jo vetëm për sigurimin nga katastrofat) arriti në 54 mijë. Pa marrë parasysh që një pjesë e mirë e kontratave i takojnë bizneseve, mund të vlerësohet se aktualisht sigurimi i pronës mbulon vetëm 7% të familjeve ose 5% të banesave.
86% E TERRITORIT TË SHQIPËRISË, E RREZIKUAR NGA FATKEQËSITË NATYRORE
Sipas raportit vjetor të rrezikut botëror, kryer nga Banka Botërore, i cili llogarit Indeksin e Rrezikut të Fatkeqësive për 180 vende bazuar në ekspozimin, ndjeshmërinë, cenueshmërinë, dhe kapacitetet përballuese dhe përshtatëse, Shqipëria renditet e para në Evropë dhe e 61-ta në botë.
Nga territori i përgjithshëm i Shqipërisë, 86% është e prirur ndaj fatkeqësive; kjo zonë gjeneron 88.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (GDP).
Humbjet mesatare vjetore për shkak të fatkeqësive janë rreth 2.5% e GDP-së, ku vetëm nga përmbytjet dëmet llogariten mesatarisht 48 milionë dollarë në vit.
PSE KJO SITUATË NË SHQIPËRI?
Drejtuesit e kompanive të sigurimit mendojnë se në dështimin e krijimit të një kulture të sigurimeve në Shqipëri ka edhe një përgjegjësi të madhe nga ana e shtetit.
Sipas tyre, mbulimi apo kompensimi i dëmeve nga shteti në rastet e fatkeqësive natyrore, si tërmetet apo përmbytjet, bën që qytetarët të mos ndërgjegjësohen rreth rëndësisë së sigurimit për të qenë të mbrojtur financiarisht ndaj dëmeve të mundshme në pronë apo në shëndet.
Në këto kushte, sigurimin kërkojnë prej vitesh krijimin e një skeme kombëtare për sigurimin nga katastrofat. Shumica e siguruesve janë të mendimit se një skemë e tillë duhet të jetë e detyrueshme.
Megjithatë, disa prej tyre mendojnë se pjesëmarrja në këtë skemë mund jetë edhe vullnetare, por me kusht që të përcillet qartë mesazhi se, në rast të fatkeqësive natyrore, dëmi nuk do të paguhet nga shteti dhe qytetarët duhet ta marrin vetë përsipër rrezikun financiar.
Qytetarët duhet të dinë se, sigurimet janë ato që të krijojnë personalitetin dhe dinjitetin e njeriut. Aot mundësojnë pavarësinë e çdo qytetari nga shteti sepse nëse ke një paketë sigurimesh ty nuk të intereson të dish as se kush është kryeministri, kush është ministri i shëndetësisë apo ministri i financave etj. Qytetarit i intereson kontrata që ke nënshkruar me kompaninë e sigurimeve e cila të dëmshpërblen për dëmet e pësuara.
LEXO EDHE: Banka Botërore: Qeveria shqiptare të bëjë me detyrim Sigurimin e Shtëpive nga tërmeti