Për të pleqëruar me dinjitet nesër, ne sot punojmë.
Punojmë e paguajmë taksa, tatime, tarifa, komisione, interesa, kamata… dhe pasi të jemi rropatur një jetë të tërë, para se të arrijmë të vdekja, na është premtuar një e drejtë. Pensioni!
“Ne i duam pensionet se kemi punuar shumë. Kemi punuar ku në Kukës, ku në Tepelenë si arsimtare dhe sot minimalen po marrim”, shprehet për A2 një ish-mësuese.
Nisur nga një përllogaritje me bazë përgjigjet e tyre, një çifti pensionistësh i duhen së paku 48,000 lekë për të përballuar nevojat e një muaji. Nga ana tjetër, po ky çift merr mesatarisht 31,464 lekë nëse jeton në qytet.
Pra, për të pleqëruar me dinjitet, një çifti të moshuarish i mungojnë së paku 16, 563 lekë.
Sipas përcaktimeve të Institutit të Statistikave, një pensionist konsiderohet i varfër nëse ajo që merr në një muaj është më pak se gjysma e pagës mesatare në shkallë vendi. Paga mesatare ka arritur në pak më shumë se 75,000 lekë.
Pensioni mesatar është aktualisht 5-fish më i ulët se paga mesatare, duke e klasifikuar pjesën dërrmuese të të moshuarve në normën e varfërisë.
Në mungesë të të ardhurave, kryesisht nga fëmijët dhe të afërmit në Greqi, Itali e Shtetet e Bashkuara të Amerikës, bashkë me ata në Gjermani, Francë apo Belgjikë mesatarisht çdo familje shqiptare mori 2,000 euro vitin e shkuar. Vetëm në gjysmën e parë të vitit, emigrantët u dërguan prindërve të tyre 510 milionë euro, shifra më e madhe ndonjëherë.
Një raport i Bankës Botërore tregon se me këto para ata plotësuan rreth 18% të nevojave, si ushqimi apo blerja e ilaçeve.
Kjo është vetëm njëra anë e medaljes, asaj ku problemi u takon pensionistëve. Një në pesë shqiptarë sot është i moshuar. Nga rreth 2,4 milionë qytetarë në total, më shumë se 473 mijë janë mbi 65 vjeç. Kjo ka bërë që raporti i varësisë së të moshuarve që llogarit numrin e personave mbi 65 vjeç me ata në moshë pune të rritet në 30,4% nga 16,7% në vitin 2011.
Thënë ndryshe, presioni mbi skemën e pensioneve sot është në nivelin më të lartë se kurrë më parë.
Presion i vjetër, por me forcë të re edhe më të madhe mbi pensionet bëhet edhe më i dukshëm nga ndryshimi i moshës mesatare në pak më shumë se një dekadë. Nga 35,2 vite në 2011, mosha mesatare e popullsisë në vend ka arritur në 42,5 vite.
Normat e ulëta të lindshmërisë dhe trendi në rënie, kombinuar me emigracionin e popullsisë në moshë riprodhuese ka sjellë ngushtimin e bazës së piramidës së popullsisë. Ministria e Financave ka përllogaritur që shpenzimet totale të Sigurimeve Shoqërore për këtë vit do të jenë në nivelin e 169,8 miliardë lekëve nga 159,9 miliardë vitin e shkuar.
Por a ka zgjidhje?
Duke parë situatën, shumë ekspertë të fushës shprehen njëzëri se, Shqipëria ka nevojë për një reformë të plotë të një skeme pensionesh me tri shtylla: pensioni shtetëror, pensioni privat i detyrueshëm dhe pensioni privat vullnetar.
Një skemë të tillë e përdorin tashmë thuajse të gjitha shtetet e rajonit dhe Evropës.
Maqedonia e Veriut e nisi këtë reformë që në vitin 2005. Tani, dy dekada më vonë, pensioni mesatar në shtetin tonë fqinj është 350 euro, ose gati dy herë më i lartë se në Shqipëri.
“Ky vend, njëlloj si dhe Kosova që po ecën me shpejtësi drejt shtimit të ndjeshëm të pensioneve të veta, ka tri shtylla të dukshme të skemës së pensioneve: pensioni shtetëror, pensioni i detyrueshëm privat dhe pensioni privat vullnetar. Ne na mungon shtylla e dytë krejtësisht”, do të shprehej në një shkrim të tijin gazetari i njohur i ekonomisë Fatos Çoçoli.
Rëndësia e të Pasurit një Pension Privat
1. Siguria Financiare në të Ardhmen
Skema shtetërore e pensioneve, pavarësisht se është një ndihmë e vlefshme, shpeshherë nuk mund të mbulojë të gjitha nevojat tona financiare në moshën e pensionit. Një pension privat ju siguron një burim të shtuar të ardhurash, duke ju lejuar të ruani një nivel jetese të kënaqshëm dhe të mos përballeni me vështirësi financiare.
2. Fleksibilitet dhe Kontroll
Me një pension privat, ju keni kontroll të plotë mbi kontributet tuaja dhe mund të zgjidhni mënyrën e derdhjes që i përshtatet më mirë nevojave dhe qëllimeve tuaja financiare. Mund të filloni me shuma të vogla dhe të rrisni kontributet tuaja me kalimin e kohës, sipas mundësive tuaja financiare. Kontributi i bërë nga çdo anëtar në Fond zbritet nga të ardhurat personale të tij, për efekt tatimi. Kthimi i investimit, përfshirë fitimet nga kapitali prej investimeve të kryera me asetet e Fondit, gjatë kohës së investimit, nuk i nënshtrohen tatimit, as për vetë fondin dhe as për shoqërinë administruese. Çdo kontribut i derdhur për pension privat është i përjashtuar nga tatimi mbi të ardhurat per punëmarrësin sipas ligjit te ri. Kufiri maksimal mujor, për qëllime të lehtësive tatimore, është deri në nivelin e pagës minimale të miratuar në shkallë vendi, që aktualisht është 40,000 lekë në muaj ose 480,000 lekë në vit.
3. Fitimi nga Investimet
Kontributet tuaja në një fond pensioni privat investohen në mënyrë të zgjuar dhe 99% të sigurt, duke qenë se këto të fundit investohen në obligacione shtetërore për të gjeneruar të ardhura shtesë gjatë viteve. Sa më herët të filloni, aq më shumë kohë kanë investimet tuaja për të rritur vlerën, duke ju ofruar një pension më të madh në të ardhmen.
4. Pavarësi Financiare
Një pension privat ju ndihmon të siguroni pavarësinë tuaj financiare, duke mos u varur plotësisht nga pensioni shtetëror apo ndihma e familjes. Kjo ju jep paqe mendore dhe mundësinë për të shijuar vitet e arta pa shqetësime financiare.
Të menduarit për pensionin nuk është një çështje që duhet të shtyhet për më vonë. Siç thekson edhe Spiro Brumbulli, çdo shumë, sado e vogël, e investuar herët në një fond pensioni privat, mund të bëjë një ndryshim të madh në të ardhmen. Mos e shtyni këtë vendim të rëndësishëm. Filloni të mendoni për pensionin tuaj privat që sot dhe sigurohuni që të keni një të ardhme financiare të qëndrueshme dhe të sigurt.
LEXO EDHE: Pse një fond pensioni privat? Sa i sigurtë është ai?