Në këndvështrimin e secilës kompani sigurimi, kur një klient pëson një dëm, përgjegjësitë e tij nuk mbarojnë me një telefonatë të thjeshtë te Siguruesi.
Hapat që ai ndërmerr menjëherë pas incidentit janë shpesh më vendimtarët për suksesin e kërkesës së tij për dëmshpërblim.
Klientët e siguruar kanë një kombinim detyrimesh të nënkuptuara dhe të shprehura qartë në policat e tyre të sigurimit.
Detyrimet e Nënkuptuara:
Në rastin që prona e klientit të siguruar po pëson një dëm, mbi të “ngarkohen” edhe disa detyrime të nënkuptuara, të pashkruara: rregullat e së drejtës së përbashkët, veprimi minimizues i dëmit sikur të ishte i pasiguruar, njoftimi i menjëhershëm i autoriteteve, parandalimi i përhapjes së dëmit dhe ndihma në hetim të dëmit.
Rregullat e së Drejtës së Përbashkët (Common Law Rules)
Këto janë detyrime që nuk shënohen gjithmonë në policë, por priten nga çdo person i siguruar bazuar në të drejtën e përbashkët dhe parimin e mirëbesimit. Shkelja e këtyre detyrimeve mund të çojë në refuzimin e kërkesës, edhe nëse polica nuk e përmend qartë këtë.
Vepro si i pasiguruar:
I siguruari duhet të marrë të gjitha masat e arsyeshme për të minimizuar dëmin, ashtu siç do të bënte nëse nuk do të kishte sigurim. Për shembull, nëse çahet një tub uji, nuk mund të lërë ujin të rrjedhë dhe të presë siguruesin; ai duhet ta mbyllë ujin dhe të nisë pastrimin për të shmangur dëme të tjera.
Njoftoni autoritetet përkatëse:
Në situata si vjedhje ose zjarr, klienti duhet të kontaktojë autoritetet përkatëse (p.sh., policinë ose zjarrfikësit) dhe të sigurojë raportet zyrtare. Këto dokumente nga palë të treta janë prova jetike për kërkesën.
Parandaloni përhapjen e dëmit:
E ngjashme me detyrimin e parë, i siguruari duhet të veprojë për të kufizuar dëmin. Pas një zjarri, për shembull, një pronar biznesi duhet të sigurojë ambientet duke mbuluar dritaret ose çatinë e dëmtuar për të shmangur grabitjen ose dëmet nga moti.
Ndihmoni në hetimin e kërkesës:
I siguruari duhet të bashkëpunojë me siguruesin gjatë gjithë hetimit. Ai duhet të lejojë qasje të plotë në pronën e dëmtuar për inspektorët dhe të dorëzojë çdo dokumentacion të kërkuar, si fotografi të dëmeve ose preventivë për riparime.
Detyrimet e Shprehura:
Rregullat e shkruara
Këto janë detyrime specifike të përcaktuara qartë në kontratën e sigurimit, shpesh në seksionin “Procedura e Kërkeses per demshperblim” ose “Kushtet”. Shkelja e këtyre kushteve i jep siguruesit të drejtën kontraktuale për të refuzuar kërkesën.
Njoftimi i menjëhershëm:
Polica gjithmonë kërkon që i siguruari ta njoftojë siguruesin për dëmin sa më shpejt të jetë e mundur. Fjala kyçe është “menjëherë”. Vonesa disa ditore për të raportuar një aksident të vogël automobilistik, për shembull, mund ta komplikojë hetimin.
Prova dokumentare:
Është përgjegjësi e të siguruarit të provojë që dëmi ka ndodhur dhe të tregojë vlerën e tij. Kjo kërkon dhënien e dokumenteve mbështetëse. Për një kërkesë për vjedhje, kjo përfshin një listë të detajuar të sendeve të vjedhura, faturat e blerjes dhe raportin e policisë. Për dëme nga zjarri, do të nevojiten fotografi, fatura për riparime urgjente dhe preventivë zyrtarë për rikonstruksion.
Duke kuptuar dhe komunikuar këto detyrime, kompania siguruese t’i ndihmojmë klientët të përballojnë procesin e kërkesave në mënyrë efektive, duke siguruar një përfundim më të shpejtë dhe më të suksesshëm.
Detyrimet e shkruara dhe të pashkruara ndihmojnë në përmbushjen e një kërkese për dëmshpërblim, që siguron pagesën në kohën më të shpejtë të mundshme të vlerës së dëmit në pronë.