11.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetKredia për shtëpi në shifra rekord, bankat dhanë 360 milionë euro gjatë...

Kredia për shtëpi në shifra rekord, bankat dhanë 360 milionë euro gjatë 2021

Vlera e kredisë së re për shtëpi shënoi një vlerë rekord prej pothuajse 360 milionë eurosh vitin e kaluar.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bankat disbursuan 43.4 miliardë lekë kredi me qëllim financimin e blerjes së banesave nga individët.

Vlera e kredisë së re u rrit me 64% krahasuar me një vit më parë.

Shifrat e bankës qendrore tregojnë se kredia e re ka prekur nivelet më të larta në të paktën gjashtë vitet e fundit, por me shumë të ngjarë kjo është edhe vlera më e lartë vjetore e shënuar ndonjëherë.

Në fund të vitit 2021, portofoli i kredisë bankare për blerje banesash i matur si tepricë kredie arriti vlerën e 146 miliardë lekëve ose rreth 1.2 miliardë eurove.

Në një vit, portofoli i kredisë për shtëpi është rritur me 14.6%.

Kredia për shtëpi është e përqendruar kryesisht në qarkun e Tiranës, por ritme të larta të rritjes vitin e kaluar shënuan edhe qarqet e Vlorës dhe Lezhës, çka tregon një shtim të investimit në prona pranë zonave bregdetare.

Kredia për shtëpi është një produkt që mundëson rritje të qëndrueshme të portofolit të kredisë, për shkak të afateve të gjata të maturimit, por edhe një shpërndarje të mirë të rrezikut, duke ulur përqendrimin e lartë tek kreditë e mëdha në sektorin e biznesit.

Cikli i rritjes së çmimeve të pasurive të paluajtshme në vitet e fundit ka rritur edhe kërkesën për kredi për shtëpi nga familjet, duke shtuar perceptimin se blerja e një prone është një investim i mirë për të ardhmen.

Lexo edhe: SONDAZHI/ SIGAL UNIQA dhe SIGAL LIFE UNIQA, kompanitë e sigurimeve më të besuara tek shqiptarët

Sipas Bankës së Shqipërisë, indeksi i çmimit të banesave u rrit me 6.7% në mesin e vitit 2021 krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Krahasuar me periudhën bazë të vrojtimit, vitin 2013, çmimet e banesave në Shqipëri janë rritur me 49.4%. Në perceptimin e aktorëve të tregut, kredia bankare ngelet një faktor i rëndësishëm në mbështetjen e kërkesës.

Sipas agjentëve, afërsisht gjysma e transaksioneve në tregun e pronave financohen me kredi bankare. Edhe rritja e çmimeve po ndikon në vlera më të mëdha të kredive të marra nga individët për të blerë banesa.

Lexo edhe: Rriten çmimet e shtëpive në Korçë, dyfishohen në Vlorë

Një faktor që me siguri e ka nxitur ndjeshëm kërkesën për kredi për shtëpi është çmimi. Normat e interesit kanë zbritur në nivelet më të ulëta historike dhe në veçanti për kredinë për shtëpi janë në nivele edhe më tërheqëse, për shkak se kreditë se rreziku është më i ulët, por edhe sepse konkurrenca në këtë segment mes bankave është mjaft e lartë.

Norma mesatare e interesit për kreditë e reja për shtëpi në lekë vitin e kaluar ishte rreth 3.4%, me një rënie të mëtejshme nga niveli prej 3.6% i vitit 2020. Ndërsa në euro, norma mesatare e interesit për këto kredi rezultoi 3.2%, në nivele të përafërta me një vit më parë. /Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat