Pronarët e mjeteve të transportit publik të pasagjerëve, sipas ligjit, janë të detyruar të lidhin kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik.
Mbi cilët subjekte rëndon ky detyrim?
Pronarët autobusëve urbanë, interurbanë dhe për transport publik ndërkombëtar, përfshirë edhe rastet kur merren me qira;
pronarët e autobusëve të transportit të punëtorëve dhe autobusëve të shoqërive turistike;
pronarët e taksive dhe makinave me qira kur jepen së bashku me drejtuesin;
pronarët e të gjitha tipave të mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve, si dhe të mjeteve lundruese pa motor;
pronarët e të gjitha tipave të mjeteve të dhëna me qira së bashku me të paktën një anëtar ekuipazhi;
pronarët e teleferikëve dhe të mjeteve të transportit mbi shina, përfshirë trenat, tramvajin, pronarët e metrosë, si dhe të mjeteve të tjera, të cilat lëvizin mbi shina; pronarët e të gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga fuqia, të përdorura për transportin publik me pagesë të pasagjerëve;
pronarët e avionëve të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve;
pronarët e mjeteve motorike që përdoren për transportin e fëmijëve dhe nxënësve me destinacion kopshtet dhe shkollat.
Çfarë mbulimesh ka ky sigurim në rast dëmi?
Sipas ligjit, minimumi i shumës së siguruar për çdo pasagjer të mbuluar nga kontrata e sigurimit, është 2,000,000 (dy milionë) lekë në rast vdekjeje; 4,000,000 (katër milionë) lekë në rast paaftësie të përhershme për punë dhe 1,000,000 (një milion) lekë në rast paaftësie të përkohshme për punë dhe trajtimet mjekësore.
Kur aktivizohet ky sigurim?
Rastet në të cilat ky sigurim aktivizohet, sipas pikës 3 të nenit 19 të ligjit për sigurimin e detyrueshëm të transportit rrugor, lidhet me rastet e vdekjes ose dëmtimeve trupore të shkaktuara pasagjerit në këto rrethana:
a) defekteve teknike që çojnë në humbjen e kontrollit mbi mjetin, defekte të cilat ndodhin jo për faj të pronarit apo drejtuesit të mjetit të transportit urban;
b) rënies së objekteve të jashtme mbi mjetin motorik gjatë përdorimit të tij, qëndrimit në
stacion apo gjatë qarkullimit;
c) dëmtimeve aksidentale të shkaktuara nga grumbullime masive, akte të dhunshme që mund të kenë motiv politik ose social, si atentate, sabotime, akte terroriste, dëmtime, zjarrvënie të qëllimshme, ngjarje ose shpërthime në objektet e ndryshme që ndodhen jashtë mjetit të transportit publik me kusht që ai të mos jetë pjesëmarrës aktiv në ato ngjarje;
ç) frenimit të papritur, plasjessë gomës, devijimeve të lëvizjessi rezultat i një shpërthimi apo shmangieje të menjëhershme të detyruar që çon deri në përmbysjen e mjetit të transportit publik;
d) shpërthimit që ndodh jashtë mjetit të transportit publik;
dh) çdo ngjarjeje tjetër që ndodh jo për faj të drejtuesit/pronarit të mjetit të transportit publik dhe nuk mbulohet nga sigurimi i detyrueshëm i përgjegjësisë të pronarit të mjetit.




