Në kuadër të Tourism Fair Albania 2026, më 12 shkurt u zhvillua paneli i diskutimit me temë: Udhëtimet e korporatave, mirëqenia e kapitalit human dhe mënyrat për të incentivuar punonjësit.
Ky ishte paneli i dytë në ditën e dytë të panairit dhe moderimi u krye nga Krist Dodbiba. I pranishëm ishte Avni Ponari.
Më poshtë do të gjeni bisedën e plotë të z. Ponari në panelin diskutimor:
PYETJE: Pse është i rëndësishëm sigurimi për udhëtimet e korporatave?
AVNI PONARI:
Faleminderit për ftesën dhe për interesimin për të folur për një fushë shumë të rëndësishme, por ende shumë e panjohur në Shqipëri.
Sot flasim për 10-12 milion vizitorë që hyjnë në Shqipëri. Të gjithë ata janë të siguruar. Kanë me vete Travel Insurance dhe Private Health Insurance. Pa sigurim shëndeti në udhëtim, askush nuk futet në territorin e Shqipërisë. SIGAL kujdeset për ta, duke bashkëpunuar me kompanitë korrespondente në Evropë.
Por shqiptarët ku janë? Shumë nuk e njohin sigurimin si produkt, nuk e blejnë dhe nuk e duan. Shpesh veprojnë me parimin “nuk më ndodh kurrë”, duke thënë: “Zoti të ruajt! Zoti kujdeset për ty”. Por kur ndodh, dëmet janë të mëdha. Sot janë rreth 20 milion euro dëme të shkaktuara në spitalet e Evropës nga shqiptarë që janë mjekuar, vizituar dhe larguar. Pas largimit, ata u drejtohen ambasadave, dhe ambasadat na kontaktojnë ne. Kjo krijon një kakofoni jo të këndshme dhe tregon mungesën e përgjegjësisë.
Një rol shumë të madh luajnë agjencitë e udhëtimit. Ato duhet t’i informojnë çdo qytetar dhe çdo kompani për domosdoshmërinë e sigurimit të shëndetit në udhëtim. Çmimet variojnë nga 1 euro në ditë, deri në 200 euro në vit për një policë 1-vjeçare. Kostoja është shumë e vogël, ndërsa mbulimi jashtë vendit është shumë i rëndësishëm.
Ka pasur raste ku pagesat e dëmeve kanë arritur deri në 70 mijë euro, vlera të konsiderueshme për një prind që ka paguar vetëm 10-12 euro. Sigurimi është kontratë, dhe kompania e sigurimit është e detyruar ta përmbushë ndaj spitalit ose partnerit jashtë vendit.
PYETJE: Çfarë do të përfitoja sot nga kjo policë, nëse do ta kisha e do të nisesha për udhëtim, fjala vjen, në Vjenë për një konferencë?
AVNI PONARI:
Nëse një punonjës shkon në Vjenë për konferencë, sigurimi përfshin gjithçka: anulimin e biletës, humbjen e bagazheve, shtrimin në spital dhe çdo emergjencë shëndetësore. Cdo person i pajisur me policën e sigurimit trajtohet plotësisht, deri në daljen e shëruar nga spitali. Paketat mund të mbulojnë edhe sëmundje të rënda me vlera shumë të mëdha. Marrëdhënia është kontraktuale, dhe detyrimi i SIGAL është obligativ: kompania nuk mund ta refuzojë.
SIGAL bashkëpunon me shumë agjenci turistike dhe çdo ditë ka thirrje për pagesa nga Shqipëria, Gjermania, Italia, SHBA, Australia, Kanada dhe kudo në botë. Numri i udhëtarëve të siguruar është rreth 300-400 mijë në vit. Disa persona sigurohen më shumë se një herë, por ata që pajisen, e marrin sigurimin vazhdimisht, kështu që po themi 200 mijë realë.
Kostoja e sigurimit është shumë e ulët: për një udhëtim 5-ditor, vetëm 5 euro, përfshirë edhe biletën. Agjencitë duhet t’i bëjnë të njohur çdo personi këtë domosdoshmëri. Zgjedhja mbetet përgjegjësi e klientit. Nëse ky informacion përhapet masivisht, përfitimet do të jenë po ashtu masive.
Shumë shqiptarë mendojnë: “nuk ndodh asgjë”, siç ndodh edhe për sigurimin e shtëpisë, për përmbytje, tërmete, zjarr dhe çdo gjë tjetër. Shumë presin që bashkia ose qeveria të kujdesen. Por duhet të jemi të vetëdijshëm dhe të mbrojmë veten tonë.
PYETJE: Po raste reale?
AVNI PONARI:
Ne kemi raste realë perditë. Minimalisht një në ditë. Çdo ditë kemi nga një model ose shembull, ndonjë thirrje për pagesë, në Shqipëri, Gjermani, Itali, Amerikë, Australi, Kanada, në të gjithë botën, sepse udhetarët janë të shumtë. Numri nuk është i vogël, numri i udhëtarëve që sigurohen sot është rreth 300-400 mijë në vit. Nuk është numer i vogël, edhe pse realisht mund të jenë 200 mijë persona, sepse mund të jetë i njëjti person që merr dy-tre herë siguracion në varësi të udhëtimeve.
Ata që janë pajisur një herë me siguracion, ata gjithmonë e marrin. Ata janë, si të thuash, të abonuar. Kostoja e një siguracioni është shumë e lirë. 1 euro në ditë.
Në një udhëtim 5-ditor, 5 euro, edhe biletë, natyrisht je i mbuluar. Ajo që është shumë e rëndësishme, e para që është e domosdoshme që agjencitë t’ua bëjnë të njohur qytetarëve si domosdoshmëri, pastaj kllienti e zgjedh vetë në përgjegjësinë e tij a e merr apo jo.
Nëse ne luftojmë fort dhe arrijmë që ta masivizojmë, natyrisht që edhe përfitimet do të jenë masive, shumë të mira.
Njerëzit në Shqipëri mendojnë se “nuk ndodh kurrë”, po ashtu si për sigurimin e shtëpisë, për sigurimin nga përmbytjet, tërmetet, zjarret dhe çdo gjë tjetër.
Ne nënvlerësojmë dhe presim gjithçka nga bashkia ose nga qeveria. Nuk jemi njerëz që ndërtojmë, mbrojmë dhe kujdesemi për veten tonë. Duam që dikush tjetër të kujdeset ose që ta bëjë detyrueshëm. Vetëm në këtë mënyrë, sipas mendimit të shumicës, mund të funksionojmë.
PYETJE: Një mesazh për agjencitë e udhëtimit?
AVNI PONARI:
Cili është mesazhi juaj ndaj agjencive të udhëtimit që kemi këtu ose që do ta dëgjojnë këtë? Si mund të përhapet fjala më efikas për rëndësinë e sigurimeve?
Para disa kohësh takova një çift pedagogësh që kishin shkuar në Amerikë. Pas 30 vjetësh pedagogji, ata ishin kthyer në Shqipëri dhe donin të jetonin këtu. Ata po ktheheshin mbrapsht sepse kërkesa e tyre ishte që të gjenin një sigurim shëndetësor privat në Shqipëri. Dikush u kishte thënë në Korçë se nuk kishte. Kjo nuk do të thotë që është vetëm mangësi e tregut tonë të sigurimeve, por edhe mungesë interesi nga njerëzit, të cilët shpesh transmetojnë mesazhe se ky lloj sigurimi nuk ekziston.
Unë i pyeta sa paguajnë në vit në Amerikë. Si çift në pension, ata paguajnë 10 mijë dollarë në vit. I dhashë kartën time të vizitës dhe i thashë: “Nëse dëshiron, paguaj 4,500 euro dhe do të vijë një ambulancë në shtëpinë tënde në Korçë” (qesh). Mesazhi është i qartë: njerëzit këtu nuk e dinë ose nuk duhet ta dinë që ka sigurime. Ka sigurim shëndeti dhe shëndet privat. Kjo do të thotë që je i lirë të shkosh në të gjitha klinikat dhe spitalet e botës, duke zgjedhur vetë dhe pa kosto të lartë – rreth 150 euro në muaj, dhe mbulohesh për çdo sëmundje deri në 1 milion euro në të gjithë Europën.
E njëjta gjë vlen edhe për sigurimin e udhëtimit (travel insurance), që është shumë i rëndësishëm. Tani kemi lansuar disa produkte që mbulojnë edhe sëmundje shumë të rrezikshme, të përfshira në këto paketa, dhe çmimi i tyre është shumë i përballueshëm, 20-30 euro në muaj. Nëse e merr njëvjeçare, ke të gjitha mundësitë që ekzistojnë në Europë, Amerikë dhe kudo tjetër në botë, përfshirë edhe Shqipërinë.
Nga pikëpamja e sigurimeve, indiferenca e njerëzve dhe dëshira për t’u justifikuar që dikush tjetër të kujdeset për ta, është e madhe. Një biznesmen, mik i imi, më kërkoi një paketë të plotë sigurimesh. Ia bëra, dhe pas 10 ditësh mora telefon: “A mund ta bësh detyrim për ministrin e Financave, sepse me qejf nuk e paskam paguar vetë?” Njerëzit janë shumë indiferentë ndaj kësaj. Amerikanët thonë: “Më mirë ta kesh një sigurim dhe mos ta përdorësh kurrë, sesa të mos e kesh kur të të duhet.”
Paneli i diskutimit në kuadër të Tourism Fair Albania 2026, më 12 shkurt, ofroi një pasqyrë të rëndësishme mbi rëndësinë e sigurimeve për udhëtimet e korporatave dhe mirëqenien e kapitalit human. Përveç Avni Ponarit, në panel morën pjesë Elvis Kotherja nga Lufthansa City Center, Erisa Dashi, konsulente e burimeve njerëzore, dhe Denisa Haxhi, përfaqësuese e Lufthansa. Diskutimet, veç të tjerash, nënvizuan nevojën për të informuar dhe sensibilizuar qytetarët dhe kompanitë mbi sigurimet shëndetësore dhe sigurimet e udhëtimit, si dhe rolin kyç që luajnë agjencitë e udhëtimit në përhapjen e këtij mesazhi. Mesazhi kryesor ishte i qartë: është më mirë të kesh sigurim dhe mos ta përdorësh kurrë, sesa të mos e kesh kur të të duhet, dhe investimi në sigurim është një masë mbrojtëse e domosdoshme për çdo udhëtar dhe çdo punonjës.




