15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetRaporti i kredive me probleme bie më tej në 6.35%

Raporti i kredive me probleme bie më tej në 6.35%

Raporti i kredive me probleme shënoi rënie të mëtejshme në muajin tetor.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ky tregues ra në 6.35%, nga 6.5% që kishte qenë një muaj më parë. Niveli aktual i kredive me probleme është më i ulët i shënuar që prej nëntorit të vitit 2008, vit kur ky tregues nisi trajektoren rritëse.

Muaj pas muaji, statistikat tregojnë se raporti i kredive me problem po shfaq një rënie të qëndrueshme, pavarësisht shqetësimeve të lidhura me pandeminë që u shfaqën vitin e kaluar.

Vitin e kaluar, raporti i kredive me probleme u mbajt nën kontroll falë masave të përkohshme lehtësuese të Bankës së Shqipërisë, siç ishin shtyrja e pagesave apo ristrukturimi i kredive pa përkeqësuar statusin e huamarrësit. Një qasje të ngjashme ndoqën shumica e bankave qendrore, me shpresën se pasojat e pandemisë do të ishin afatshkurtra.

Për shkak të efektit të këtyre masave, pritshmëritë e bankierëve ishin që testi i vërtetë për kreditë me problem do të ishte viti 2021, sidomos gjysma e dytë e tij. Disa projeksione fillestare hipotizonin se raporti i kredive me probleme mund të arrinte deri në 15%. Por, në fakt gjërat duket se po shkojnë shumë më mirë se parashikimet fillestare.

Përmirësimet në ekonominë reale dhe vijimësia e huadhënies kanë dhënë një efekt të dukshëm pozitiv në ecurinë e raportit të kredive me probleme. Kjo tendenca ka ngjallur optimizëm mes bankierëve.

Disa prej tyre, shprehen për “Monitor” se ka të ngjarë që, deri në fund të këtij viti, raporti i kredive me probleme të bjerë poshtë nivelit të 5%. Muajt e fundit të vitit në përgjithësi sjellin një shpejtim të uljes së raportit të kredive me probleme.

Kjo ndodh për shkak të një rritje sezonale të portofolit total të huasë, sidomos në segmentin e biznesit, por edhe për shkak të procesit të pastrimit të portofoleve nga huatë e humbura. Fshirja e kredive të humbura ka dhënë një ndikim përcaktues në uljen e raportit të kredive me probleme, sidomos në periudhën prej vitit 2015 deri në vitin 2019. Në dy vitet e fundit, vlera e kredive të nxjerra nga bilancet ka rënë ndjeshëm, pikërisht për shkak të pastrimit të portofoleve. Megjithatë, ky proces ende mund të japë një farë ndikimi në uljen e mëtejshme të raportit të kredive të këqija, sidomos në tremujorin e fundit të vitit.

Një rol po aq të rëndësishëm në rënien e raportit të kredive me probleme ka pasur rritja e kreditimit. Në fund të muajit tetor, portofoli total i kredisë për ekonominë arriti në 652 miliardë lekë, me një rritje prej 15 miliardë lekësh krahasuar me shtatorin. Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më pare, rritja e portofolit të kredisë ka arritur nivelin 10% Rritja pozitive e portofolit, veç kredidhënies së re, po ndikohet edhe nga faktorë të tjerë, si pakësimi i fshirjes së kredive të humbura, ristrukturimet e aplikuara pas pandemisë, që sollën një amortizim më të ngadaltë të portofolit, por edhe nga rritja e peshës së kredisë afatgjatë në portofolin total të huasë. /Monitor

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat