21.5 C
Tirana
Thursday, July 3, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCEO i SIGAL intervistë për Business Magazine: Ponari tregon si u ndërtua...

CEO i SIGAL intervistë për Business Magazine: Ponari tregon si u ndërtua SIGAL

Intervistën origjinale nga gazetarja Fatima Gorezi e gjeni në “SIGAL nuk shet sigurime, blen rreziqe”! Rrëfimi i Avni Ponarit, si ndërtoi një industri nga hiçi – Business Magazine Albania

Në vitin 1999, Avni Ponari themeloi SIGAL-in me një vizion të qartë: të krijonte një treg të vërtetë sigurimesh aty ku nuk ekzistonte as mentaliteti, as eksperienca dhe as infrastruktura. Sot, pas më shumë se dy dekadash, ai qëndron ende në timon, me të njëjtin pasion dhe përkushtim, duke drejtuar një kompani lider në tregun shqiptar dhe rajonal të sigurimeve. Në këtë intervistë rrëfimi është sa personal aq edhe profesional: nga mësimet që i ka dhënë deti, te filozofia e lidershipit dhe trashëgimia që dëshiron të lërë pas, një sistem të qëndrueshëm, të besueshëm dhe modern sigurimesh në Shqipëri dhe më gjerë.

  1. Z. Ponari, kthehemi pak në retrospektivë. Në vitin 1999, kur e nisët SIGAL-in, Shqipëria kishte një treg të ri sigurimesh, pa traditë. Çfarë ju motivoi të hynit pikërisht në këtë fushë, në një kohë kaq sfiduese, por edhe të pasigurt për ekonominë shqiptare?

Shqipëria sapo kishte dalë nga një dekadë trazirash dhe pasigurie kur themelova SIGAL-in në vitin 1999. Në atë kohë vija me një eksperiencë në sigurime, me një shkollë specifike, që ishte e vetmja që kishte diçka nga sigurimet dhe u bëra krijuesi i Departamentit të Sigurimeve Detare (Marinë) në kompaninë e parë të sigurimeve. Kush njeh sigurimin e marinës, njeh të gjithë industrinë. Një anije është si një “copë shteti që lëviz”, me kapitenin, ekonomistin, inxhinierin elektrik, mekanikun, me përgjegjësitë për jetën dhe misionin e vetë. Sigurimi i anijes i përmbledh të gjitha llojet e sigurimeve, madje dhe risigurimet.

Boshllëku në tregun shqiptar ishte i madh: pa mentalitet sigurimi, pa profesionistë, pa produkte sigurimi dhe në vitet e diktaturës pa kompani sigurimi. Ne ishim me fat: nga viti 1992 deri më 1997 patëm ndjekur kurset më të rëndësishme në kompanitë më të mëdha në Botë, si Lloyds, Munich Re, Swiss Re, si edhe kompani amerikane, të ftuar nga Departamenti i Shtetit dhe kompani të sigurimeve.

Për mua, sigurimet nuk janë vetëm produkte financiare, por mjete që rikthejnë besimin dhe stabilitetin në jetën e njerëzve. Ato krijojnë njeriun e lirë dhe të pavarur ekonomikisht. Kështu, përveç sfidës, ishte edhe një mision: të ndërtoja një institucion serioz dhe afatgjatë në një treg të paorganizuar.

  1. Cili është sekreti i qëndrueshmërisë suaj si lider për më shumë se dy dekada? Si e ruani ekuilibrin mes udhëheqjes strategjike dhe zhvillimit personal?

Qëndrueshmëria lind nga vizioni i qartë, përulësia për të mësuar vazhdimisht dhe ndërtimi i ekipeve të forta. Ndërtimi i ekipeve dhe i profesionistëve është misioni im personal dhe ky ka qenë çelësi i suksesit.

Profesioni im i parë më ka mësuar të lundroj në det të hapur me destinacion të qartë. Me vizion të qartë dhe destinacion të mirëpërcaktuar është më e lehtë. Deti ta mëson më mirë se askush tjetër këtë. Dallgët, stuhitë, yjet dhe hëna mbi kokë si orientues, natyrisht që të mbajnë të ingranuar së bashku me ekuipazhin derisa të mbërrish në pikën e caktuar të cilën e ke hedhur në hartë më parë, ku edhe kohën e arritjes e ke të përcaktuar. Kush ka vizion dhe qëllim suksesi është i mundur. Për të mbërritur në destinacion nevojitet staf i përgatitur, organizim i përkryer dhe përkushtim.

Lideri i mirë, kam besuar gjithmonë, është shërbëtor i misionit të tij. Strategjia pa njërëz mbetet një letër bosh. Prandaj kam investuar në kulturën e kompanisë, te vlerat dhe zhvillimi profesional. Zhvillimi profesional, po edhe ai personal, lidhet me leximin, reflektimin dhe përballjen me sfidat. Njeriu rritet vetëm kur nuk mjaftohet me suksesin e djeshëm.

  1. SIGAL ka njohur vazhdimisht arritje si kompania më e suksesshme e sigurimeve në Shqipëri dhe rajon. Çfarë qëndron realisht pas këtij suksesi? Produkti, njërëzit apo mënyra si ju ndërtoni marrëdhënie me klientët?

Të trija janë thelbësore, por fjalën kyçe do ta quaja “besim”. Mbajtja e fjalës është baza e gjithçkaje. Ne blejmë rrezikun nga klienti, klienti paguan një prim të vogël, por siguruesi mund të përballet me një dëm shumëmilionësh. Si kompani kemi patur raste kur kemi paguar mbi 3 milionë euro dëme për një prim prej vetëm 40 euro. Për 3,000 euro prim kemi paguar edhe një dëm mbi 4 milionë euro. Njerëzit nuk e dinë këtë, nuk e njohin “magjinë” e sigurimeve, sepse vetëm shumë pak njerëz në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut janë të siguruar.

Fakti që shqiptarët paguajnë rreth 50 euro për frymë në vit, ndërsa në Slloveni 1,500 euro, dhe në vendet e Bashkimit Europian mbi 3,000 euro për frymë në vit, na tregon se ku ndodhemi dhe, natyrisht, edhe ku shkojmë.

Gjatë 25 viteve, SIGAL ka paguar mbi 500 milionë euro dëme. Ne nuk shesim sigurime; ne blejmë rreziqe dhe garantojmë qetësi dhe stabilitet. Produktet tona janë moderne dhe të personalizuara sipas nevojave të klientit. Marrëdhënia me klientin nuk është thjesht një transaksion, por një bashkëpunim afatgjatë.

  1. Në nëntor të vitit të kaluar, UNIQA shiti 90% të aksioneve te Sigal Business Center, që kontrollohet 100% nga ju. Cili është vizioni pas kësaj blerjeje?

Kjo blerje ishte rikthim i përgjegjësisë sime të plotë, por edhe mundësi për të hapur kapitullin e ri të SIGAL si kompani kombëtare me standarde ndërkombëtare.

Nga 2003 me investimin e Fondit Amerikan, që ishte i pari investim i huaj në tregun e sigurimeve dhe në një kompani me aksionerë shqiptarë dhe më pas me UNIQA, kemi ndërtuar ura me partnerë ndërkombëtarë, si Swiss Re, Hannover Re, AON etj. Përvoja jonë është pasuruar me standarde të larta evropiane dhe amerikane. Vizioni im është të forcojmë pozicionin në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni, të zgjerojmë ofertën digjitale dhe të jemi faktor zhvillimi ekonomik.

  1. Si ka ndryshuar sipërmarja në Shqipëri dhe çfarë këshille do u jepni të rinjve që duan të nisin një biznes?

Sipërmarrja sot është më dinamike, me më shumë akses, por edhe me sfida të reja: teknologjia, konkurrenca, shpejtësia e ndryshimeve. Rruga e biznesit është e hapur, por duhet prirje. Kush nuk e ndjen është më mirë të kontribuojë në kompani të organizuara. Shumë veta mendojnë se biznesi është i lehtë, u them jo, madje është shumë i vështirë. Biznesi është raport, është marrëdhënie besimi, është edhe qarkullim paraje.

Biznesi nuk është vetëm para. Ka të bëjë me vizionin, karakterin dhe talentin. Shumë hyjnë pa një destinacion të qartë dhe humbin rrugës. Këshilla ime është: punoni me ndershmëri, pasion dhe përkushtim. Ndërtoni mbi vlera dhe jo mbi rrugë të shkurtra.

  1. Përtej biznesit, a ka një mision personal që ju udhëheq? Çfarë e shihni si trashëgiminë tuaj më të madhe?

Misioni im ka qenë gjithmonë ndërtimi i besimit dhe ruajtja e tij. Nuk do të doja kurrë që dikush të mendojë se Avniu nuk mban fjalën. Sigurimi është një shtrëngim duarsh dhe fjala duhet mbajtur, edhe në humbje.

SIGAL është një model, që tregon se në Shqipëri mund të krijohen institucione të besueshme, të forta dhe me vlera evropiane. Trashëgimia ime nuk është vetëm një kompani e suksesshme, por një shembull që frymëzon dhe u hap rrugë brezave të rinj.

  1. Si e shihni të ardhmen e industrisë së sigurimeve në rajon? Ka vend për inovacion në këtë fushë ‘tradicionale’?

Industria jonë po transformohet rrënjësisht nga teknologjia, të dhënat dhe vetëdijësimi i qytetarëve. Nevojat janë të mëdha, mbulimi ende i ulët. Çdo njeri duhet ta ketë të siguruar atë që ndërtojnë: jetën, pasurinë, shëndetin.

E ardhmja është në sigurimet digjitale, produktet e personalizuara, mikro-sigurimin dhe ndërthurjen me shërbime të tjera. Sigurimi është i lidhur me zhvillimin ekonomik dhe për këtë arsye është një nga tre shtyllat që mbajnë në këmbë një ekonomi moderne.

 

 

 

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat