20.5 C
Tirana
Tuesday, July 1, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetSpeciet që e ndiejnë tërmetin përpara shkencës

Speciet që e ndiejnë tërmetin përpara shkencës

Pronësia intelektuale e artikullit, për të cilin Sigurime.Online sjell vetëm përkthimin, i takon autorit Chriss Webber dhe portalit me famë ndërkombëtare animalsaroundtheglobe.com

Shumë kohë përpara se njerëzit të shpiknin pajisje sizmiografike apo sistemet e paralajmërimit të hershëm për tërmetet, disa lloje kafshësh duket se i ndjenin këto ngjarje natyrore.

Sjellje të çuditshme të kafshëve janë përmendur në shumë kultura e kontinente dhe shpesh janë përdorur si sinjal paralajmërues në vende të rrezikuara nga tërmetet.

Ky shkrim tregon se cilat janë kafshët që duket se ndiejnë tërmetet përpara se të ndodhin, si mund ta bëjnë këtë, dhe si kjo njohuri vazhdon të ndikojë në kërkim dhe kultura sot.

Dokumentime të hershme nga historia

Në vitin 373 para erës sonë, shkrime kineze përmendin minj, gjarpërinj dhe vjerrusha që u larguan nga shtëpitë e tyre disa ditë përpara një tërmeti shkatërrues në Helice. Vëzhgime të ngjashme janë përmendur edhe në Greqinë e lashtë, Romë e Japoni. Në vitin 1975, autoritetet kineze në Haicheng urdhëruan evakuim duke u bazuar edhe në sjellje të pazakonta të kafshëve, dhe ndoshta shpëtuan mijëra jetë pak orë përpara një tërmeti me magnitudë 7.3.

Këto nuk janë thjesht legjenda. Vëzhgimet janë të shumta, në kultura dhe periudha të ndryshme. Kjo tregon se disa kafshë ndoshta kanë ndjeshmëri që njeriu nuk e ka pasur kurrë.

Bretkosat – parashikuesit amfibë

Në vitin 2009, pak para tërmetit në L’Aquila të Italisë, u vu re se 96% e bretkosave meshkuj (Bufo bufo) u larguan nga vendi i çiftëzimit pesë ditë para tërmetit. Ato u kthyen vetëm pas lëkundjes së fundit.

Sipas biologes Rachel Grant, bretkosat ndoshta ndjejnë ndryshime kimike në ujë apo grimca të ngarkuara që çlirohen para tërmeteve. Lëkura e ndjeshme dhe jeta e tyre mes tokës e ujit i bëjnë shumë të ndjeshme ndaj ndryshimeve që njeriu nuk i ndien.

Qentë – me shqisa të mprehta
Para tërmetit të Alaskës në vitin 1964, shumë qen nuk pranuan të dilnin jashtë dhe treguan frikë. Sjellje të tilla janë vënë re edhe në Kinë, Japoni e Kaliforni.

Qentë dëgjojnë tinguj deri në 65,000 Hz (njeriu vetëm deri në 20,000 Hz) dhe mund të ndiejnë tinguj të thyerjes së shkëmbinjve. Era e tyre është shumë e zhvilluar dhe mund të nuhasin gazra që çlirohen nga toka. Pëllëmbët e tyre mund të ndiejnë lëkundje shumë të lehta. Të gjitha këto i ndihmojnë të reagojnë përpara se njeriu të ndiejë ndonjë gjë.

Gjarpërinjtë – ndjeshmëri e jashtëzakonshme në tokë
Në Kinën e vitit 1975, gjarpërinjtë dolën nga dimërimi dhe mbetën në borë pak ditë para një tërmeti. Kjo sjellje është shumë e pazakontë, sepse i rrezikonte të ngordhnin.

Ata ndiejnë dridhje të lehta përmes barkut, nofullës dhe veshit të brendshëm. Disa lloje ndiejnë edhe ndryshime në fushën magnetike. Sjelljet e tyre para tërmeteve janë parë në shumë vende të botës.

Peshqit – ndjeshmëri në ujë
Para tërmetit të vitit 2011 në Japoni, u kapën shumë peshq të thellësive si oarfish, që zakonisht nuk afrohen në sipërfaqe. E njëjta gjë ndodhi edhe në Kili, Peru e Meksikë.

Uji përçon lehtësisht ndryshime të presionit dhe elektricitetit. Peshqit kanë një sistem të veçantë ndjeshmërie që i lejon të ndiejnë ndryshime të lehta në presion apo fushë elektrike. Sjelljet e çuditshme si not i çrregullt apo ndryshim i thellësisë janë vënë re para tërmeteve.

Bagëtitë – ndjeshmëri përmes trupit të madh
Lopët, kuajt, delet e dhitë shpesh bëhen nervoze, nuk hyjnë në stalla, ose fillojnë të vrapojnë në mënyrë të pazakontë para tërmeteve. Në Ekuador, para tërmetit të vitit 1949, lopët vrapuan dhe bërtitën ndryshe nga zakonisht.

Trupi i tyre i madh i ndihmon të ndiejnë valët e para (P-wave) që vijnë para lëkundjeve më të forta. Këmbët dhe thundrat e tyre ndiejnë lehtësisht dridhjet e tokës.

Shpendët – vështrim nga lart
Para tërmetit në Christchurch të Zelandës së Re në vitin 2011, banorët thanë se zogjtë u zhdukën dhe pushuan së kënduari. Sjellje të ngjashme janë parë në Kaliforni, Japoni dhe Itali.

Zogjtë ndiejnë ndryshime në presionin e ajrit, tinguj të ulët (infrasound) dhe fushën magnetike të Tokës, të cilën e përdorin për migrim. Kjo i bën të ndjeshëm ndaj ndryshimeve që ndodhin para një tërmeti.

Insektet – ndjeshmëri mikroskopike
Milingonat kanë lëvizur vezët në sipërfaqe para tërmeteve në zona të ndryshme. Bletët kanë lënë kosheret apo janë sjellë në mënyrë të çuditshme.

Ato kanë receptorë shumë të ndjeshëm që ndiejnë vibrime dhe ndryshime në ajër apo presion. Disa insekte ndiejnë edhe fushën magnetike apo elektricitetin në atmosferë. Jeta e shkurtër dhe përshtatja e shpejtë ndoshta i kanë ndihmuar të zhvillojnë këto aftësi.

Çfarë thotë shkenca?
Shkencëtarët mendojnë se kafshët ndiejnë:

  • valët e para të tërmetit (P-wave),

  • gazra që çlirohen nga toka (si radoni),

  • ndryshime në fushën magnetike,

  • jone të ngarkuara në ajër,

  • ose tinguj shumë të ulët që njeriu nuk i dëgjon.

Një universitet në Kaliforni zbuloi se shkëmbinjtë mund të lëshojnë rrymë kur shtrydhen, dhe kafshët ndoshta e ndiejnë këtë. Një studim më 2020 vëzhgoi 729 raste sjelljesh të pazakonta te kafshët dhe gjeti lidhje me tërmetet, sidomos pranë epiqendrës.

Nuk ka një shpjegim të vetëm, por gjithnjë e më shumë pranohet se kafshët ndiejnë ndryshime që ne nuk i perceptojmë.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat