16.5 C
Tirana
Wednesday, May 21, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetCEO i SIGAL, z. Avni Ponari, folës kryesor në "Kosova Finance Forum...

CEO i SIGAL, z. Avni Ponari, folës kryesor në “Kosova Finance Forum 2025”. FJALA E PLOTË

Në forumin “Kosova Finance Forum 2025”, CEO i SIGAL, z. Avni Ponari, ishte i ftuar si folësi kryesor.

Në këtë forum z. Ponari theksoi rëndësinë jetike që ka industria e sigurimeve për zhvillimin ekonomik dhe pavarësinë financiare të qytetarëve.

Z. Ponari ngriti shqetësimin për nivelin e ulët të primeve të sigurimit në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni të Veriut krahasuar me vendet e Bashkimit Evropian, duke e lidhur këtë diferencë jo vetëm me faktorë ekonomikë, por edhe me mungesën e kulturës dhe edukimit financiar.

Ai bëri thirrje për më shumë sigurime vullnetare, legjislacion mbrojtës dhe edukim të vazhdueshëm për të ngritur ndërgjegjen shoqërore mbi rëndësinë e sigurimeve.

Fjalimi u mbyll me mesazhin se integrimi i vërtetë në Bashkimin Evropian nuk mund të ndodhë pa një industri të fuqishme sigurimesh dhe pa qytetarë të ndërgjegjshëm për rolin e tyre në garantimin e pavarësisë ekonomike.

Sigurimet nuk janë vetëm një produkt financiar, por një instrument emancipimi dhe ndërtimi të qytetarisë së mirëfilltë, u shpreh ndër të tjera.

FJALA E PLOTË

”  Të nderuar pjesëmarrës, të nderuar organizatorë, zonja dhe zotërinj,

Jam shumë i nderuar të marr pjesë në Kosova Finance Forum 2025 (Kosova Fajnans Forum), si folës mes liderëve të ekonomisë, financave dhe novacionit të rajonit tonë.

Këtë forum e shoh më shumë se sa një ngjarje ekonomike.  Ky është një rast shumë i mirë për të zgjuar ndërgjegjen e qytetarëve për industrinë finaciare në përgjithësi dhe atë të sigurimeve në veçanti për të cilën unë jam këtu.

Sot, me përvojën time në këtë industri prej afërsisht 30 vjetësh, ku jam pionier i krijimit të saj, e kam të qartë se nga vimë dhe ku po shkojmë, cila është e ardhmja e kësaj industrie dhe pikërisht për këto dua të flas.

Përvoja ime në rajon – në Shqipëri, Kosovë dhe Maqedoni – si aksioner, themelues dhe drejtues i një kompanie lider në fushën e sigurimeve, është e gjatë. Që në fillim, kemi synuar të ndërtojmë një fizionomi, një identitet të qartë, duke ofruar produkte të përshtatshme per rajonin  dhe duke fituar besimin e plotë të klientëve përmes pagesës së drejtë dhe të shpejtë të dëmeve. Sepse, në thelb, ky është misioni i çdo kompanie sigurimesh.

Dua ta shfrytëzoj forumin tuaj si një thirrje që kjo industri, industria e sigurimeve, duhet të zërë pozicionin e saj. Pozicionin që i takon. Kjo industri është një nga tre shtyllat  e zhvillimit financiar të ekonomisë së një vendi, krahas sistemit bankar për qarkullimin dhe zhvillimin e kapitalit, krahas sistemit të sigurimeve për menaxhimin e rriskut dhe mbrojtjes financiare dhe sistemit të pensioneve dhe mirëqenies sociale për sigurinë afatgjatë të individëve.

Shqipëria sot paguan 65 euro prime të shkruara bruto për frymë, Kosova paguan 67 euro.

Maqedonia e Veriut 100 euro.

Tre vendet tona janë të fundit në tabelë pas Bosnjes, 129 euro për frymë, Serbisë 155 euro për frymë dhe Rumanisë 156 euro për frymë.

Mali i Zi fqinj, paguan 164 euro për frymë.

Bullgaria 247. Kroacia 394 euro.

Sllovenia 1322 euro ndërsa mesatarja e 27 vendeve të BE ështe 2182 euro për frymë.

Mes tyre gjen vende që paguajnë nga 3 mijë deri në 6 mijë.

Mirëpo, pse vendet e Bashkimit Evropian kanë tregues të tjerë?

Çfarë mungon te ne? Pse këta tregues paraqesin këto diferenca të thella?

Shpjegimi nuk mund të jetë vetëm ekonomik. Do të gabonim po ta trajtonim vetëm në terma ekonomikë.

Shpjegimi do kërkuar edhe në drejtime të tjera:

  1. Kultura e vendeve te Ballkanit, ndërgjegjja e tyre e ulët siguruese, edukimi financiar po edhe niveli i tyre ekonomik
  2. Mungesa e legjislacionit, që mbron interesat financiare  të qytetarëve  dhe njëherësh i nxit ata të sigurohen

Shumë pyetje shtrohen  sot  dhe përgjigjet gjenden jo lehtë.

Shtrojmë pyetjen: A është në vendet tona ekonomia  dhe jeta e njerëzve e siguruar dhe çfarë mekanizmash përdoren që kjo të ndodhë?

Ky sigurim do të duhej të fillonte nga ekonomia shtetërore, e më pas ajo private: industriale dhe bujqësore.

Të dyja janë asete kombëtare, sepse çdo pasuri private është aset kombëtar.

Po baza ligjore a ekziston, si është i mbrojtur interesi financiar i qytetarit?

Në këtë pikë kam dëgjuar mendime dhe qëndrime të ndryshme. Shpesh dëgjoj kërkesa për më shumë sigurime të detyrueshme. Nuk e mbështes mendimin se duhet të kemi sa më shumë  sigurime të detyrueshme.

Duhet të shtojmë nxitjen përmes ndërgjegjësimit sigurues për më shumë sigurime vullnetare.

Dikush mund të përmend Francën, që ka mbi 40  ligje që e bëjnë të detyrueshëm sigurimin e shumë aspekteve të jetës së njerëzve.

Pyetja është a kemi ne ligj për përgjegjësitë, për limitin e përgjegjësive,  që prej ketij ligji të rrjedhin natyrshëm radha e gjatë e sigurimeve si ai i përgjegjësisë së mjekut, i përgjegjësisë së shtëpisë, i përgjegjësisë rrugore, i përgjegjësisë së produktit, i përgjegjësisë së profesioneve , përgjegjësisë ndaj punonjësve, përgjegjësisë civile, përgjegjësisë ndaj mjedisit, si dhe përgjegjësive të tjera specifike që lidhen me veprimtaritë e ndryshme ekonomike dhe sociale?

Natyrisht  që këto kanë një gamë të gjerë dhe limite të përcaktuara e rregulluar mirë me ligj.

Dhe kjo siç është në Kosovë, që është më mirë të jesh avokat në Kosovë, që në 500 euro të investuara  për 3 deri ne 5 vjet merr  mbi 5 mijë euro nga fatkeqësia  e  një ngjarjeje sigurimi.

Ajo që duhet ta themi sot me të madhe është se qytetarët nuk duhet të vijojnë të varur nga mëshira insititucionale.

Shteti p֝ër gjithçka.

Në vëmendjen tuaj do të sjell një episod me vizitën e disa turistëve zviceranë që pata rastin t’i takoj.

I pyeta se kush ishte ministri i tyre i Financave. Ata panë njeri-tjetrin dhe u drejtuan në googel p֝ër të kërkuar emrin e ministrit të tyre.

I pyeta: “Pse?”

“Avni ti je në sigurime dhe me pyet mua kush është ministri i financave?”, ma kthyen.

Me pyet ku është dhe kush është agjenti juaj i sigurimeve do të të jap të dhëna të sakta, ai e di kur do të siguroj makinën, shtëpinë, dyqanin, shëndetin…  dhe në rast dëmi atij i thërras, ç’më duhet mua kush është ministri i Financave?!”, më thanë.

Ky episod mbart në vetvete arsyen se pse Zvicra i ka 6000 franga në vit shpenzimet e primit për frymë.

Sepse mendësia është pikërisht kjo: ministri i Financave nuk më duhet ta di, agjentin e sigurimeve po.

Duhet kuptuar se industria e sigurimeve nuk është thjesht një biznes.

Ajo është një instrument emancipues për qytetarin dhe QYTETARINË POLITIKE.

Sigurimet nuk mbrojnë vetëm pasurinë, ato ndërtojnë pavarësinë dhe personalitetin e njeriut.

Nëse një qytetar ka një shtëpi të siguruar, një biznes të siguruar, një pension privat, një makinë me siguracion kasko, një paketë shëndetësore apo edhe bujqësinë e blegtorine te siguruar, ai nuk do të ketë më nevojë të mbështetet tek shteti për çdo gjë.

Po ju sjell rastin e Polonisë.

2 miliard euro prim sigurimi  paguan Polonia për sigurimin e bujqësisë dhe blegtorise dhe ky prim eshte subvencion nga shteti per ti garantuar qytetarit polak prodhimete bujqesore si ne sasi dhe cilesi. Qytetari e do lirinë.  Ai e ruan personalitetin, nuk dëshiron të zvarritet  përpara zyrave të shtetit apo të komunës. Nëse këto i ka të garantuara dhe te kontraktuara  ai përherë e më shume bëhet dinjitoz.

Ai do të jetë i lirë, i sigurt dhe i pavarur në vendimmarrje.

Qytetari do të ndërtojë urën direkte me kompaninë siguruese dhe nuk do të jetë nevojtar për mëshirën e askujt nga institucionet apo drejtuesit e tyre.

Ky dallim thelbësor me vendet e Evropës, bënë që atje të kemi edhe 3 mijë e 6 mijë euro pagesa primesh për frymë, ndërsa vendet tona nuk i kanë kaluar ende 100 euro për frymë.

Shtroj sërish pyetjen: Ku duhet të shkojmë? Si duhet të ecim?

Këtu po parashtroj shkurtimisht disa sugjerime:

Mungesa e kulturës dhe ndërgjegjes siguruese duhet luftuar me edukimin për sigurimet.

Edukim për shoqërinë.

Edukim për institucionet.

Edukim për punonjësit e ardhshëm të sigurimeve.

Edukim për përfitimet ekonomike, shoqërore dhe politike që vendet tona korrin në rast se e përqafojnë kulturën siguruese.

Boshlliku i krijuar nga mungesa e legjislacionit duhet mbushur me iniciativa të koordinuara që draftojnë ligje të cilat mbrojnë interesat finaciare të qytetarëve.

Këtu dua të përfshij një shumëllojshmëri mbrojtjesh, nga çdo lloj përgjegjësie: nga gabimi i mjekut, nga gabimi i komshisë, deri te çrregullimet natyrore, kulturë bujqësore, blegtorale, shtëpi, pronë, biznes, e mësuesve për nxënësit, produktet, e hoteleve, bareve, restoranteve.

Ky hap ecën paralelisht me edukimin.

Sa më shumë rritet ndërgjegjja shoqërore, aq më i lartë do të jetë presioni shoqëror për ligje që mbrojnë financiarisht shoqërinë.

Në këtë mënyrë e rrisim edhe qytetarin dhe qytetarinë, sepse sigurimet e kanë këtë mision emancipues dhe pavarësues.

Ne duhet ta vëmë në zbatim.

Ateherë si të ecim?

Duke patur në mendje e duke pranuar bashkërisht me ligjvënësit dhe grupet e interesit se industria e sigurimeve është një nga tre shtyllat e industrisë financiare që e zhvillon vendin.

Si e tillë, bashkë me fondet e investimeve dhe të pensioneve dhe bursën, ajo duhet parë me interes dhe në këtë drejtim do të duhet një koordinim i vazhdueshëm për strategji afatgjata.

Kostot janë të lira.

Mbulimet të mëdha.

Tregu i sigurimeve në Kosovë sot ka kapacitete mbuluese të plota, falë bashkëpunimeve dhe marrëveshjeve të risigurimit me kompanitë më të njohura në Europë.

Këto marrëveshje garantojnë çdo prim sigurimi të marrë nga klientët, si dhe mbulojnë çdo ngjarje të ndodhur për të cilën ekziston kontrata e sigurimit.

Shqipëria dhe Kosova po ecin me shpejtësi drejt zhvillimit, me investime të gjithanshme që rrisin fuqinë ekonomike të vendeve tona.

Këto investime në çdo fushë dhe sektor e bëjnë të domosdoshme edhe sigurimin, si një instrument mbrojtës ndaj risqeve financiare.

Gjatë viteve të fundit kanë ndodhur shumë ngjarje, si zjarre dhe dëmtime të tjera materiale, për të cilat SIGAL ka paguar të gjithë klientët e prekur — dhe natyrisht do të vazhdojë të paguajë edhe në të ardhmen.

Vetëm në tre vitet e fundit, në Kosovë janë paguar mbi mbi  30.2 milionë euro për dëme në pasuri, shëndet dhe në ngjarje motorike, si brenda ashtu edhe jashtë vendit.

Ndaj është e domosdoshme të punohet për rritjen e ndërgjegjësimit sigurues të qytetarëve, si dhe për përmirësimin e legjislacionit që i shërben mbrojtjes financiare të pasurisë dhe jetës së tyre. Kjo kërkon edukim financiar dhe një kornizë ligjore moderne e të përafruar me standardet evropiane.

Duke ju falënderuar për mundësinë për të marrë pjesë në këtë forum, dua ta mbyll me bindjen se integrimi i rajonit tonë në Bashkimin Europian, pa një industri të fuqishme sigurimesh dhe pa ndërgjegjësim të qytetarëve për rëndësinë e sigurimeve, do të ishte një integrim i paplotë.

Sepse ne e dimë: integrimi i prekshëm kalon përmes sigurimeve. Ato edukojnë qytetarin evropian me logjikën e pavarësisë ekonomike. Qytetari evropian ndërton komunitetin e interesave të përbashkëta përmes logjikës ekonomike. Kështu lind natyrshëm bashkimi evropian i njerëzve.”

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat