Sipas një studimi të publikuar nga ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar, cekësia e tregut valutor shqiptar shpjegon ndërhyrjet e përkohshme të Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin e kursit të këmbimit.
Me një xhiro vjetore rreth 11 miliardë dollarë, tregu shqiptar konsiderohet i cekët në krahasim me mesataren prej 52 miliardë dollarësh në vendet në zhvillim, gjë që kufizon kapacitetin e ndërmjetësve financiarë për të përballuar luhatjet në kërkesë dhe ofertë për valutë.
Në raste të tilla, devijimet nga vlera themelore e kursit të këmbimit mund të kenë ndikim negativ në stabilitetin makroekonomik dhe financiar.
Në këtë kontekst, gjatë vitit 2024, Banka e Shqipërisë ndërmori për herë të parë një ndërhyrje afatgjatë në tregun valutor, duke blerë një shumë rekord prej 933 milionë eurosh – me një rritje prej 249% krahasuar me vitin e mëparshëm.
Nga kjo shumë, vetëm 283.8 milionë euro ishin blerje të planifikuara për rritjen e rezervës valutore, ndërsa pjesa tjetër prej 649 milionë eurosh përfaqësonte ndërhyrje direkte me qëllim frenimin e forcimit të mëtejshëm të Lekut.
Ndërhyrjet nisën në maj dhe kulmuan në tetor, kur u blenë 169.4 milionë euro, ndërsa kursi mesatar Euro/Lek pësoi një rënie vjetore prej 7.4%.
FMN thekson rëndësinë e ruajtjes së regjimit të lirë të kursit të këmbimit, ku ndërhyrjet duhet të përdoren vetëm për të zbutur efektet e goditjeve jothemelore dhe të përkohshme.
Sipas tyre, mbiçmimi i Lekut në dekadën e fundit është nxitur kryesisht nga faktorë ekonomikë themelorë, ndërsa ndikimi i faktorëve të jashtëm ka qenë modest. Në rastet kur ndërhyrjet janë të nevojshme, ato duhet të ekzekutohen me kujdes, duke marrë parasysh efektet anësore të mundshme mbi bilancin e bankës qendrore, normat e interesit dhe zhvillimin e tregjeve financiare në vend.