20.5 C
Tirana
Saturday, April 19, 2025
spot_img
Faqe KryesoreKryesoreBilanci i vitit 2024, përplot goditje të rënda si pasojë e ndryshimeve...

Bilanci i vitit 2024, përplot goditje të rënda si pasojë e ndryshimeve klimatike

Viti 2024 ishte viti me përmbytjet më të mëdha të Evropës, që nga viti 2013.

30% e rrjetit lumor të kontinentit u prek nga përmbytje të konsiderueshme ndërsa ndryshimet klimatike të shkaktuara nga djegia e lëndëve fosile vazhduan të nxisin reshje të rrëmbyeshme dhe fenomene të tjera ekstreme të motit.

Viti i shkuar regjistroi 335 viktima nga përmbytjet sa i takon Evropës dhe më tepër se 410 mijë persona u prekën nga dëmet e tyre.

Këto të dhëna dolën nga një raport i përbashkët i Shërbimit Klimatik Copernicus të Bashkimit Evropian dhe Organizatës Botërore Meteorologjike (WMO), i përgatitur me fokus mbi klimën e Evropës.

Evropa Perëndimore ishte pjesa e kontinentit që u godit më rëndë. Viti 2024 renditet ndër dhjetë vitet më të lagështa të rajonit, që nga fillimi i matjeve në vitin 1950.

Stuhitë dhe përmbytjet janë fenomenet ekstreme më të kushtueshme të motit në Evropë, dëmet që shkaktuan në vitin 2024 e tejkaluan shifrën 18 miliardë euro.

Fenomene ekstreme të motit u regjistruan edhe në pjesë të tjera të kontinentit. Evropa Juglindore përjetoi valën më të gjatë të të nxehtit të regjistruar ndonjëherë, që zgjati 13 ditë, ndërsa akullnajat e Skandinavisë u tkurrën me ritmin më të lartë të regjistruar.

Stresi termik u rrit në të gjithë kontinentin.

Pjesa më e madhe e Evropës Lindore u prek nga mungesa e reshjeve dhe thatësira, ndërsa Evropa Perëndimore u shkatërrua nga përmbytjet.

Afërsisht një e treta e rrjetit lumor të Evropës kaloi pragun e përmbytjeve në nivelin “të larta”, ndërsa 12% e tyre kaluan në nivelin “të rënda” për sa i takon vitit 2024.

Përmbytjet shkatërruese në Valencia në fund të tetorit shkaktuan pjesën më të madhe të humbjeve njerëzore dhe dëmeve ekonomike në Evropë, me 232 viktima. 

Stuhia Boris në shtator solli reshjet më të dendura të regjistruara ndonjëherë në Evropën Qendrore, duke përfshirë Austrinë, Çekinë, Gjermaninë dhe Sllovakinë.

Në nivel global, 2024 ishte viti më i nxehtë i regjistruar ndonjëherë, njëkohësisht edhe më i nxehti për Evropën. 

Evropa është kontinenti që po ngrohet më shpejt në planet. Toka është aktualisht rreth 1.3 gradë Celsius më e ngrohtë se në periudhën paraindustriale. Kjo ngrohje po ndodh për shkak të ndryshimeve klimatike të shkaktuara nga vetë njeriu.

Raporti i WMO dhe Shërbimit Klimatik të BE-së përmbante edhe disa pika pozitive, për shembull faktin që burimet e rinovueshme arritën një rekord prej 45% të energjisë së Evropës në vitin 2024.

Shumica e qyteteve evropiane kanë plane për t’u përshtatur më mirë ndaj ndryshimeve klimatike.

Shkencëtarët kanë konfirmuar se ndryshimet klimatike e bëjnë më të mundshme shfaqjen e reshjeve kaq të mëdha, sepse një atmosferë më e ngrohtë mban më shumë lagështi, duke çuar në reshje intensive.

Niveli i avullit të ujit në atmosferë arriti një rekord të ri në vitin 2024.

Faktorë të tjerë që ndikojnë në përmbytje përfshijnë menaxhimin e lumenjve dhe planifikimin urban, që përcakton nëse shtëpitë dhe infrastruktura ndërtohen në zona të prirura ndaj përmbytjeve.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat