Në kushtet kur pensioni shtetëror nuk ofron të ardhura të mjaftueshme për përballimin e kostove të jetesës, tregu i fondeve të pensioneve private po fiton gjithnjë e më shumë terren.
Me kalimin e viteve, më shumë qytetarë po e shohin pensionin privat si një alternativë për të përftuar më shumë të ardhura në pleqëri.
Të dhënat nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare tregojnë se totali i aseteve neto të këtyre fondeve është rritur me thuajse 15% ose 1 miliardë lekë në krahasim me vitin e kaluar.
Konkretisht, vlera e aseteve arriti në 7.7 miliardë lekë në fund të nëntëmujorit. Gati e gjithë kjo shumë është investuar në bono thesari dhe obligacione nga shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve private.
Për sa i përket anëtarëve, mund të thuhet se numri i këtyre të fundit ka pësuar një rritje me 13.61% vlerësuar me vitin 2023.
Në fund të muajit shtator numëroheshin gjithsej 43,375 persona që kishin një pension privat.
Aktualisht, në Shqipëri e ushtrojnë aktivitetin e tyre 6 fonde pensioni, ku vetëm dy fonde dominojnë tregun në terma të aseteve dhe numrit të anëtarëve që kanë.
SIGAL UNIQA INVEST vazhdon të jetë lidere në treg, sa i përket aseteve, duke zënë rreth 40% të tij.
Si ka ndryshuar tregu i fondeve të pensioneve private përgjatë viteve të fundit?
Në një hark kohor prej 5 vitesh, numri i anëtarëve ka pësuar një rritje të konsiderueshme. Aktualisht, numërohen 39% më shumë anëtarë se në vitin 2020. Nga shifrat rezulton se fondet e pensioneve private kishin vetëm 31 mijë anëtarë në 2020-ën, 33 mijë në vitin 2021, 36 mijë në 2022-in dhe gjatë vitit të kaluar, shoqëritë administruese të fondeve të pensioneve private numëronin 38 mijë anëtarë.
Mësoni më shumë KËTU
LEXO EDHE: Reforma në pensione kërkohet edhe nga Banka e Shqipërisë: Duhet sigurim suplementar