Sa e përgatitur është Shqipëria për të përballuar rrezikun që vjen nga përmbytjet dhe ndryshimet klimatike, për shkak të investimeve të pamjaftueshme parandaluese në këtë drejtim?
Historiku i viteve të fundit ka treguar që intensiteti i shirave në periudhën vjeshtë-dimër ka sjellë përmbytje të vazhdueshme në zona të caktuara të vendit, me pasojë dëme të konsiderueshme për fermerët dhe agrobizneset.
Në vitin 2019, qeveria miratoi Strategjisë Kombëtare të Ujitjes dhe Kullimit 2019– 2031 dhe planin e veprimit e cila kishte pikërisht në fokus marrjen e masave konkrete në këtë drejtim për të parandaluar përmbytjet, por mesa duket 5 vite pas, efektet kanë qenë minimale.
Por sa do të kushtonte e gjithë ndërhyra e nevojshme për shmangien e këtij fenomeni që sjellë dëme të pallogaritshme çdo vit për familjet shqiptare dhe sa e përballon buxheti i shtetit?
Sipas vlerësimit të bërë nga Ministria e Bujqësisë, për një periudhe 10-13 vjeçare, ku llogaritja është bërë që nga viti 2019, kostoja totale për rehabilitimin dhe modernizimin e infrastrukturës së ujitjes, infrastrukturës së kullimit, digave të rezervuarëve të ujitjes dhe objekteve të mbrojtjes nga përmbytja, është rreth 717 milionë dollarë.
Nga ky total 253.6 milionë vlerësohet rehabilitimi dhe modernizimi i infrastrukturës së ujitjes për të mundësuar ujitjen në sipërfaqen potencialisht të ujitshme prej 360 mijë ha; 56.5 milionë rikthimi i infrastrukturës së kullimit në parametra optimal në sipërfaqen potencialisht të kalueshme prej 280 mijë ha; 130.2 milionë rehabilitimi i 410 digave (ose rreth 65% e numrit të përgjithshëm) për rritjen e sigurisë së tyre dhe garantimin e burimeve ujore për skemat ekzistuese; 276.8 milionë rritje e sigurisë së mbrojtjes nga përmbytja lumore dhe detare, nëpërmjet rehabilitimit/ rikonstruksionit të argjinaturave ekzistuese dhe ndërtimit të strukturave reja.
Ndërkohë që duke zbritur investimet që janë bërë deri në 2022, nga viti 2022-2031, llogaritej një nivel investimi rreth 700 milionë dollarë.
Ministrja e Bujqësisë theksoi pak ditë më parë se kjo faturë është ende në të njëjtat nivele, çka do të thotë se nëse do të mbulohej nga buxheti i shtetit, do ti duhej të vendoseshin në dispozicion mesatarisht afro 100 milionë dollarë në vit deri në 2031-shin me qëllim zgjidhjen e këtij problemi, ndërkohë që fondet vjetore të akorduara për këtë zë në buxhet mbulojnë vetëm 20% e nevojës për tu investuar.
Sigurimi i bujqësisë, a mund të bëhet dhe si?
Bujqësia është një sektor me rrezik shumë të madh, sepse është e ekspozuar ndaj faktorit natyror dhe faktorëve të tjerë, si sëmundje, parazitë, që e bëjnë këtë sektor shumë të brishtë dhe të ndjeshëm ndaj rreziqeve.
Nëse ndodh një përmbytje, thatësirë, ngricë, etj., dëmi mund të jetë shumë i madh. Duke qenë sektor me rrezik të lartë, edhe primi i sigurimit duhet të jetë i lartë.
Kjo nuk është përvoja jonë, por kjo është përvoja e të gjitha vendeve të tjera, që operojnë me sigurimet në bujqësi.
Sipas informacioneve, primi i sigurimeve në bujqësi shkon midis 3% dhe 8% e vlerës së dëmit të mbuluar. Ky prim është shumë më i lartë krahasuar me sektorët e tjerë të sigurimit. Me kosto kaq të larta, fermerët është e vështirë të sigurohen vullnetarisht, ndaj ky treg është pothuajse në nivelin 0.
Nga ana tjetër, sigurimi është i lidhur edhe me formalizimin e fermës. Ne e dimë që vetëm rreth 10% e fermave janë të formalizuara, që të hyjnë në kanalet e përfitimit të lehtësive dhe bonuseve.
Deri tani, sigurimi i fermerëve është kufizuar në projekte pilot bashkëpunimi mes institucioneve të kredidhënies dhe kompanive të sigurimit. Por, rezultatet e projektit e bënë shpejt të qartë se sigurimi në këtë sektor është i vështirë dhe sfidues.
Ka pasur disa përvoja në vitet e shkuara, që një nga kompanitë siguroi rreth 750 sera nëpërmjet bashkëpunimit me një shoqëri kursim-krediti. Në vijim, pati edhe dëme që kompania e sigurimit i mbuloi, rreth 30 dëme. Kur siguruesi bëri bilancin, produkti rezultoi me humbje dhe ai nuk mund të vazhdonte, nëse nuk rritej primi.
Përveç kësaj, primi është i lidhur shumë edhe me numrat. Sa më shumë raste të jenë të siguruara, aq më shumë do të ulet primi.
Nëse do të ketë subvencionim dhe do të rritet vëmendja, tregu i sigurimeve është gati për t’u bërë pjesë këtyre skemave dhe për të gjetur risigurues të leverdishëm.
Sipas siguruesve, e vetmja zgjidhje për të futur fermerët në skema të sigurimeve do të jetë subvencionimi i primeve nga shteti, siç ndodh në vendet e Europës.
Sipas ekspertëve vendas dhe të huaj, duhet që shteti të financojë primin e sigurimit, të paktën pjesërisht. Ka pasur një vendim qeverie që parashikonte një bashkëfinancim 50% të ritmit nga shteti, nëse fermeri paguante pjesën tjetër. Në atë rast, skema nuk funksionoi. Fondi ishte i vogël, por ndoshta mungonte edhe një përgatitje strukturore. Ndaj një bashkëpunim midis Ministrisë së Bujqësisë, tregut të sigurimeve dhe fermerëve do të ishte i nevojshëm.
Por fatkeqësisht, politika vazhdon të ushqejë mentalitetin që në rast fatkeqësie, paguan shteti.
Kjo nuk është e drejtë moralisht, sepse barra bie mbi taksapaguesit, por edhe jep një mesazh të gabuar, duke mos nxitur krijimin e një kulture sigurimi. Pra, duhet thyer koncepti që shteti mendon për të gjitha, por njëkohësisht duke nxitur kulturën e sigurimit, përmes subvencionimit të primit.
Një model skeme financimi:
– Kufiri i përgjegjësisë deri në 500 mijë lekë
– Primi i sigurimit 5%: 25 mijë lekë
– Financimi i primit: 20% (5 mijë lekë) fermeri/ 80% (20 mijë lekë) buxheti
LEXO EDHE: Ndryshimet klimatike dhe Sigurimet në Bujqësi, ja modeli që ka zgjedhur Rumania