Vijon të rëndohet bilanci i viktimave të përmbytjeve apokaliptike të pasdites së të Martës në juglindje të Spanjës, si pasojë e stuhisë së madhe Dana.
Autoritetet lokale thanë këtë pasdite se numri i të vdekurve ka arritur në 95.
Bilanci mund të rëndohet akoma më shumë pasi një numër i madh banorësh mbeten të pagjetur në rajonin e Valencias, i godituri më rëndë nga përmbytjet dhe ku ka më shumë viktima.
Mbreti Felipe i 6-të tha se përmbytjet masive kanë shkatërruar infrastrukturën në qytezat Çiva, Bunjol dhe Utiel, duke bërë që kontakti me disa lokalitete të jetë i pamundur.
Qeveria spanjolle ka angazhuar mbi 1 mijë trupa, për tu ardhur në ndihmë banorëve të izoluar. Hyrja nga toka është e pamundur për shkak të grumbujve masivë me automjete që u morën me vete nga ujërat e furishëm të përmbytjeve të shkaktuara nga lumenjtë e dalë nga shtrati.
Sasia e reshjeve të më shumë se një viti ra brenda 8 orëve.
Stuhia Dana, sipas autoriteteve spanjolle, mund t’i drejtohet Sevillas.
LEXO EDHE: A po i bëjnë ndryshimet klimatike katastrofat natyrore më shkatërrimtare? Flasin shkencëtarët