Ditën e sotme i gjithë vendi do të përfshihet nga reshje të dendura shiu dhe shtrëngata.
Sipas Shërbimit Meteorologjik Ushtarak, qarqet që pritet të preken më shumë janë Tirana, Vlora dhe Fieri.
Reshjet e dendura do të nisin gjatë mesditës në zonat qendrore të vendit dhe me kalimin e orëve do të shtrihen edhe në jug.
“Duke filluar që nga orët e para të 24-orëshit reshje shiu të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar në veriperëndim të vendit. Gradualisht reshjet e shiut priten të fitojnë intensitet mesatar deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive kryesisht në veriperëndim të vendit.
Prej orëve të mesditës dhe deri në orët e mbrëmjes reshje shiu me intensitet mesatar dhe të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa të forta elektrike. Në orët e vona të mbrëmjes, në pjesën më të madhe të vendit, intensiteti i reshjeve bie duke mbetur prezente të herëpashershme me intensitet të ulët deri mesatar. Ndërsa në juglindje kryesisht në orët e pasdites dhe të mbrëmjes reshjet e shiut priten të jenë me intensitet deri të lartë në formën e rrebesheve dhe stuhive shoqëruar me shkarkesa elektrike”, shkruan Shërbimi Meteorologjik Ushtarak.
Temperaturat parashikohen:
- në zonat malore 13 deri 20°C
- në zonat e ulëta 16 deri 24°C
- në zonat bregdetare 19 deri 23°C
Valëzimi në det pritet të jetë 5-7 ballë.
Për pasojë, është pezulluar lundrimi në det i mjeteve të vogla dhe të peshkimit, deri në një moment të dytë.
LEXO EDHE: Shqipëria, një nga tre vendet më të rrezikuara nga përmbytjet/ Siguracionet që na nevojiten