0.5 C
Tirana
Monday, November 25, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeFoto LajmeHistoritë e kompanive të famshme të sigurimeve/ Sigurimi në bujqësi ekzistonte para...

Historitë e kompanive të famshme të sigurimeve/ Sigurimi në bujqësi ekzistonte para viteve ’90

*Nga Kreshnik KUÇAJ

Tregu i sigurimeve në Shqipëri nis të zhvillohet në vitet ’20-‘30, kohë vendi njeh një fazë të re të zhvillimit ekonomik dhe të investimeve.

Në këtë periudhë, në qytetet kryesore të Shqipërisë, në Tiranë, Durrës, Sarandë, Korçë apo Shkodër, hapin filialet e tyre disa prej kompanive më të njohura të sigurimeve në botë.

Janë fillimisht tregtarët shqiptarë ata që sigurojnë mallrat e tyre nga zjarri apo mbytjet për të vijuar me pas edhe me një zgjerim në ofertës së sigurimit, çka përfshiu thuajse të gjithë biznesmenët që zhvillonin aktivitet ekonomik në Shqipëri.

Shumica e kompanive të sigurimit ishin italiane ndërsa nuk mungonin dhe ato britanike. Në fakt, një pjesë e mirë e aktivitetit sigurues lidhej me nevojën e madhe që ishte krijuar nga fuqia punëtore e huaj për t’u siguruar.

 

Por cilat ishin kompanitë e huaja që erdhën në Shqipëri në ato vite?

Generali Assicurazioni

Më e njohura është “Generali Assicurazioni” e Triestes, një kompani shumë e njohur e themeluar në vitin 1831. Prezenca fillestare e kësaj kompanie në Shqipëri do të bëhej përmes agjentëve.  Përfaqësues i kompanisë ishte Vincenzo Rocco, i cili kishte një kompani në Durrës me 4 punonjës dhe që kishte aktivitet në fushën e shitjes së policave të sigurimit të jetës dhe nga zjarri.

 

Kompania FIUME

 

Një rol të rëndësishënm në tregun shqiptar të sigurimeve ka luajtur edhe kompania Fiume. Kjo kompani hapi degë në të gjitha prefekturat dhe nënprefekturat e Shqipërisë. Qendra e kësaj kompanie ishte në Fiume, sot Rijeka e Kroacisë, dhe ishte e lidhur me Institutin Kombëtar të Sigurimeve në Itali.

Kjo kompani ofronte sigurime nga zjarri, shpërthimi i gazit, vjedhjet, rreziqet, transportet, përgjegjësinë civile kundrejt të tretëve e deri edhe sigurim nga rrufetë.

Kapitali i kompanisë ishte 12 milion lira. Përfaqësues i kompanisë për Shqipërinë ishte Francesco Giordano.

Riunione Adriatica di Sicurta

 

Ishte një shoqëri aksionere me kapital 100 milionë lira. Qendra e kësaj kompanie ishte në Trieste. Në Shqipëri kjo kompai kishte agjenci dhe nën agjenci në të gjithë territorin e vendit dhe ofronte shërbimin  e sigurimeve në të gjitha degët, jeta,zjarr, përgjegjësi civile, fatkeqësi, transporte tokësore dhe detare.

 

Kjo kompani ishte krijuar në vitin 1838 dhe zotëronte 30 mijë agjenci në 30 shtete, përfshirë  dhe Shqipërinë.

 

Sun Insurance

 

Kjo kompani ishte krijuar në Londër dhe në vitet ’30 kishte edhe filialet e saj në Shqipëri. Përfaqësuesit e kësaj kompanie ishte Vëllazëria Mano.

 

Kjo kompani ishte një ndër kompanitë më të hershme të sigurimeve në botë, e krijuar në vitin 1710 në Londër nga 25 biznesmenë të njohur.

Përfaqësuesit zyrtarë të kësaj kompanie në Shqipëri ishte Vëllazëria Mano e Korçës por kishte filiale në qytete të tjera ku përfaqësoheshin me agjentët përkatës.

 

Këto kompani e ushtruan aktivitetin e tyre në Shqipëri deri në përfundim të Luftës së dytë Botërore, ku ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik solli edhe largimin e tyre nga Shqipëria. Në këtë periudhë, tregu i sigurimeve bëhet terësisht shtetëror, ashtu si të gjithë sektorët e tjerë të ekonomisë.

 

Sigurimet në periudhën 1944-1991

 

Pas Luftës së Dytë Botërore dhe me vendosjen e regjimit komunist në vitin 1944, tregu i sigurimeve u shtetëzua, si të gjithë sektorët e tjerë ekonomikë. Në vitin 1949, u krijua Instituti Shtetëror i Sigurimeve (Pjesë e Institutit të Arkave të Kursimit dhe Sigurimeve), i cili ofronte sigurime të jetës dhe sigurime të tjera jo të jetës për ndërtesat, mallrat dhe shërbimet e ndryshme publike.

 

Referuar dokumenteve të kohës Instituti kryente sigurime jete dhe sigurime jo jete. Në institut kryhej sigurimi i ndërtesave, i sendeve shtëpiake, i kulturave bujqësore, i gjësë së gjallë, sigurimi i jetës dhe sigurimi i pasagjerëve. Për herë të parë në Shqipëri, sigurimet u shtrinë edhe në fshatra.

 

Sigurimi i jetës dhe përjashtimi në rastet e krimeve 

 

Sigurimi i Jetës ishte i vlefshëm për rastet e jetës, vdekjes dhe të invaliditetit. Rregullorja e vitit 1949 për sigurimin e jetës parashikonte se çdo person në moshën 16 deri në 55 vjeç mund të sigurohej pranë Institutit. Kontrata për sigurimin e jetës lidhej për shuma të ndryshme që vareshin nga mosha e personit të siguruar dhe afatit të sigurimit. Për sigurimin e jetës paguheshin 250-300 lekë në muaj.

 

Rregullorja ishte e detajuar për përfitimet në rast vdekje, por përcaktonte dhe disa përjashtime. Për shembull, në rastin kur personi i siguruar humbiste jetën ose aksidentohej gjatë ndonjë akti kriminal, atëhere Instituti i Sigurimeve nuk ia paguante shumën e siguruar. Po ashtu, rregullorja parashikonte edhe disa përjashtime të tjera.

 

ISIS nuk paguan shumën e siguruar në rastet që vijojnë:

 

Kur vdekja e të siguruarit shkaktohet me paramendim nga personi që është caktuar të marrë shumën e siguruar (beneficieri)

 

Kur vdekja e të siguruarit ose invaliditeti shkaktohet nga operacione ushtarake; në këtë rast beneficieri në rast vdekje, ose i siguruari në rast invaliditeti, ka të drejtë të marrë një shumë të barabartë me atë që paguhet në rast prishje të kontratës së sigurimit para afatit”

 

*Rregullore për sigurimin e jetës, 1949

 

Kontratat e sigurimit të jetës lidheshin për një afat 15 deri në 20 vite. Sigurimi i jetës ishte terësisht vullnetar.

 

Sigurimi i pronës dhe ndarja e Shqipërisë në 2 zona sigurimi  

 

Sigurimi i pronave ndahej në 3 kategori dhe me dy tarifa. Tarifa A përdorej për ndërtesat, mobiljet, sendet shtëpiake ndërsa Tarifa B përdorej për mallrat dhe dyqanet ku ishin vendosur punëtoritë e artizanatit. Për efekt sigurimi i gjithë territori i Shqipërisë ndahej në dy zona; Zona 1 dhe Zona 2.

 

Në zonën 1 përfshiheshin Tirana, Durrësi, Korça dhe Vlora ndërsa të gjitha qytetet e tjera dhe fshatrat bënin pjesë në Zonën2. Sigurimi i pronave private ishte vullnetar, ndryshe nga sigurimi i pronave shtetërore që ishte i detyrueshëm.

 

Ndarja e ndërtesave në kategori për efekt sigurimi bazohej në llojin e materialit me të cilin ishin ndërtuar dhe nga lloji i materialit me të cilin ishte mbuluar çatia e tyre.

 

Sigurimi i detyrueshëm në udhëtim

 

Krahas aktivitetit të degëve në çdo rreth, në institut ushtronin veprimtarinë edhe agjencitë e transportit automobilistik, portet detare dhe stacionet hekurudhore, duke arkëtuar primet në lidhje me sigurimin e detyrueshëm të pasagjerëve që udhëtonin me mjetet e transportit publik. Ky ishte një aktivitet fitimprurës që garantohej nga shitja e përditshme e biletave. Sigurimi i pasagjerëve ishte i detyrueshëm.

 

Sigurimi i kulturave bujqësore

 

Një nga produktet e sigurimit të periudhës së ekonomisë së centralizuar ishte edhe sigurimi i prodhimeve bujqësore. Sigurimi i kulturave bujqësore mbulonte të mbjellat nga rreziqet e zjarrit, breshërit, shirave të rrëmbyeshëm, shtrëngatave, ngricave apo përmbytjeve. Për sigurimin e kulturave bujqësore paguhej një kuotë vjetore që ndryshonte për çdo lloj bime. P.sh për sigurimin e një hektari grurë paguhej mesatarisht 220 lekë ndërsa për sigurimin e një hektari panxhar sheqeri, 400 lekë etj.

 

Sigurimi i barinjve dhe bagëtive

 

Një produkt tjetër sigurimi i atyre viteve ishte edhe sigurimi i blegtorisë dhe i barinjve. Edhe në këtë rast, tarifa ishte vjetore. Instituti Shtetëror i Sigurimeve shpërblente dëmet e shkaktuara nga sëmundje dhe fatkeqësitë e gjëse së gjallë dhe shpërblente dëmet e shkaktuara nga therjet në rastet kur therja urdhërohej nga veter

 

Si funksiononin sigurimet e jashtme

 

Duke nisur nga janari i vitit 1961 u organizuan edhe sigurimet e jashtme që i sillnin përfitime vendit në valutë. Në këtë kontekst, Shqipëria lidhi marrëveshje me kompani sigurimi me të gjithë vendet me të cilat kishte marrëdhënie tregtare. Ndryshimi i gjeografisë së shkëmbimeve tregtare të Shqipërisë do të sillte sikdomos në vitet ’70 edhe ndryshimin e gjeografisë së sigurimeve të jashtme. Në mesin e viteve ’70 Shqipëria arriti të nënshkruajë kontrata sigurimi edhe me me vende si Vietnami, Korea apo Algjeria.

 

Sigurimet dhe risigurimet e jashtme për mallrat që eksportoheshin dhe importoheshin, sigurimi i automjeteve që qarkullonin në territoret e shteteve të tjera si dhe sigurimi i anijeve të flotës detare bëheshin në bazë të rregulloreve të Ministrisë së Financave.

 

Të gjitha mallrat që importoheshin siguroheshin pranë institutit kurse mallrat që eksportoheshin siguroheshin vetëm në rastet kur e kërkonte blerësi i tyre.

 

Instituti kishte degë në të gjitha qytetet e Shqipërisë dhe kishte agjentët e saj ose punonjës të ngarkuar me këtë detyrë.

 

“Shembja” e sistemit ekonomik

 

Tregu i sigurimeve mbeti shtetëror deri në vitet ’90 kur ndryshimi i sistemit politik dhe ekonomik solli gradualisht edhe liberalizimin e tregut dhe rikthimin e kompanive të huaja të sigurimeve në tregun shqiptar.

LEXO EDHE: SIGAL UNIQA, 25 Vjet lider në treg/ Ponari: Gjithmonë një hap përpara të tjerëve

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat