Bashkitë e Shkodrës, Elbasanit, Durrësit, Vlorës dhe Fierit kanë pësuar rënien më të madhe të popullsisë në numër me të dhënat e cens 2011 dhe 2023, në anën tjetër rritjen më të madhe të popullsisë në numër e ka Bashkia e Tiranës, Dropullit, Himarës dhe Sarandës
Në përqindje, bashkitë me tkurrjen më të madhe të popullsisë ndërmjet dy censeve janë Bashkia e Selenicës me 48%, e Pustecit me 43%, Pukës me 44% dhe Rrogozhinës me 43%, në anën tjetër, popullsia e Bashkisë Dropull rezulton të jetë rritur me 135%, ajo e Himarës me 45% dhe e Sarandës me 11% dhe Tiranës me 7.3%.
Popullsia sipas bashkive tregon se Shkodra ka pësuar rënien më të madhe në numër.
Në Bashkinë e Shkodrës, në tetor 2023 u numëruan 102,434 banorë nga 135,612 banorë në vitin 2011. Shkodra është kryeqendra e Veriut dhe një nga qytetet më të mëdha shqiptare me rëndësi sa i përket kulturës historisë dhe pozitës gjeografike.
Pas Shkodrës, rënien më të madhe të popullsisë në numër e kishte Elbasani me tkurrje 26,613 persona ndërmjet dy censeve. Në vitin 2023, në këtë qytet u numëruan 115,101 banorë nga 141,714 të tillë që ishin në cens 2011.
Bashkia e Durrësit u pakësua me mbi 21 mijë banorë.
Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend, e cila është një qendër graviteti në krahasim me të tjerat për emigracionin e brendshëm, është shtuar vetëm me 40,754 banorë nga 2011 në 2023.
Rritja e popullsisë së kryeqytetit nuk është një lajm i mirë për ndërtuesit në kryeqytet të cilët kanë ndërtuar për projeksione të gabuara deri më tani me të dhëna që Tirana rritet me 20-25 mijë banorë në vit.
Nga 61 bashki vetëm në 6 bashki popullsia shënoi rritje ndërmjet censeve ndërsa në 55 prej tyre ishte në rënie.
Përveç bashkimeve me popullsi minoritare dhe Tiranës, rritje ka shënuar edhe popullsia e Bashkisë së Beratit (+2201 banorë) dhe Dimalit (840 banorë), shkruan revista “Monitor”.