Zbardhen koeficentët e rinj të rivlerësimit të pagave për efekt të llogaritjes së pensionit që pritet të miratohet brenda këtij muaji për t’u zyrtarizuar në 1 Korrik. Sipas ISSH, ndryshe nga një vit më parë, aktualizimi i pagave para ‘94 do të bëhet me koeficientin 12.257, duke u reflektuar në këtë mënyrë në nivelin e pagave për 83 profesione.
Pas vitit 1994, siç edhe shihet në tabelë koeficientët janë të ndryshëm, duke pësuar rënie nga viti në vit. SCAN shkruan se për vitin 1995, koeficienti është 9.864, për pagat e 1996 është 7.653, i njëjti aplikohet edhe për pagat e një viti më vonë. Ndërsa për vitin 1998, pagat indeksohen me 6.395, për të vijuar me vitin 1999, ku koeficienti është 5.190 e kështu me radhë deri në vitin 2022.
Për dy vitet e fundit, pra, për 2023 dhe 2024 nuk aplikohet formula e indeksimit, por pagat referohen aq sa janë. Rivlerësimi i pagave, mbi bazën e të cilave janë derdhur kontributet iu jep mundësi të gjithë atyre që dalin rishtazi në pension të përfitojnë më tepër.
Kjo, pasi krahas portofolit kontributiv, peshë ka edhe paga mbi bazën e së cilës janë derdhur kontributet. Sa më e lartë të jetë baza e vlerësueshme për efekt të llogaritjes së pensionit, aq më i lartë do të jetë edhe përfitimi mujor.
Për ta bërë më të thjeshtë, dikush që ka punuar në metalurgji paga për efekt të llogaritjes së pensionit nuk do të jetë 3392 lekë, por 41 575 lekë (3392 lekë X 12.257). Ose dikush që ka punuar apo është marrë me tregti e që ka pasur një pagë 2740 lekë në muaj, baza e vlerësueshme për efekt pensioni këtë vit do të jetë 33 584 lekë.
Preken 20 mijë persona
Janë mbi 20 mijë persona që mbushin këtë vit moshën e daljes në pension dhe që do të përfitojnë nga skema e rivlerësimit.
Kujtojmë që formula e llogaritjes së pensionit përcakton një pension bazë dhe shtesën. Pensioni bazë është 9327 lekë, ndërsa shtesa bazuar në formulën e llogaritjes së pensionit është 1% për çdo vit sigurimi, shumëzuar me bazën mesatare të vlerësueshme, që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve të paguara. Në projektvendimin e hartuar nga Instituti i Sigurimeve Shoqërore përcaktohet edhe një tavan për pagat e rivlerësuara.
Kjo do të thotë që pas indeksimit ato nuk mund të jenë më të larta se trefishi i pagës minimale apo se paga maksimale.
“Pas aplikimit të indeksit të vitit 2022, baza e vlerësuar për efekt të llogaritjes së shumës fillestare mujore të pensioneve që do të caktohen me datë lindje të drejte nga data 01 korrik 2024, nuk mund të jenë më të larta se: trefishi i pagës minimale në shkallë vendi e përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave, për pagat e periudhës nga viti 1994 deri në 31.12.2001; paga maksimale në shkallë vendi e përcaktuar sipas kritereve të nenit nr. 10 të ligjit nr. 7703, datë 1.5.1993 “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për pagat nga viti 2002 e në vazhdim”, thuhet në draft.
Ndryshime dhe në pensionet private
Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) ka përgatitur një projektrregullore të re në mbështetje të ligjit “Për Fondet e Pensionit Privat”, që parashikon vendosjen e një kontrolli rigoroz të rregullatorit mbi materialet promovuese që do të publikohen nga shoqëritë administruese të fondeve.
Sipas projektrregullores, çdo material promovues i përgatitur nga shoqëria administruese e fondit të pensionit privat për promovimin e fondit të pensionit privat apo promovimin e shoqërisë administruese dhe i miratuar nga personi kyç i shoqërisë duhet të njoftohet në Autoritet përpara publikimit. Shoqëria administruese, bashkë me njoftimin depoziton me shkresë në Autoritet çdo material promovues në formë të shkruar ose në formë elektronike, i cili do të përdoret për veprimtarinë promovuese.
Detajet
Autoriteti, në përfundim të shqyrtimit, në rastet kur konstaton se nuk janë respektuar parashikimet e ligjit “Për Fondet e Pensionit Privat”, dhe kësaj rregulloreje, i kërkon shoqërisë administruese të ndalojë menjëherë publikimin, shpërndarjen apo botimin e materialit promovues dhe të korrigjojë materialin promovues duke u shprehur për ndryshime apo përfshirjen e informacioneve shtesë.
Materiali i korrigjuar sipas kërkesës së Autoritetit duhet të depozitohet sërish në Autoritet për rishqyrtim. Në çdo rast, gjykimi i Autoritetit rreth materialeve promovuese nuk mund të përdoret për qëllime promovuese. Gjatë periudhës së shqyrtimit nga AMF, shoqëria administruese nuk mund të vijojë me materialin promovues.
Projektrregullorja parashikon se Autoriteti do t’i ndalojë materialet promovuese nëse përmbajnë vlerësime ose parashikime në lidhje me ecurinë e ardhshme të fondit të pensionit ose të shoqërisë administruese; krahasime ndërmjet fondeve të ndryshme të pensioneve ose ndërmjet shoqërive administruese të ndryshme; togfjalëshin “rezultat i garantuar”, “përfitim i garantuar”, “pension i garantuar”, “skema më e mirë e pensioneve” ose çdo formulim tjetër që mund të krijojë përshtypjen për një fitim të sigurt; ose deklarata nga anëtarë të mëparshëm, aktualë ose potencialë.