Shqiptarët kanë paguar më shumë për të siguruar pronat, jetën, shëndetin dhe automjetet përgjatë vitit 2023.
Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, tregojnë se për 12 muajt e vitit të shkuar, vlera e paguar për t’u siguruar arriti në 22.9 miliardë lekë, apo mbi 200 milionë euro.
Në 5 vitet e fundit, kjo është shifra më e lartë në tregun e sigurimeve.
Por tendenca në rritje vjen si pasojë dhe e sigurimit të detyrueshëm.
Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zunë mbi 60% të totalit të tregut, duke lënë pas sigurimin vullnetar.
Në një intervistë për A2 CNN, CEO i “SIGAL UNIQA Group Austria”, Avni Ponari shprehet se, për shkak të mentalitetit të vazhdon, qytetarët por edhe bizneset janë pak të interesuara për sigurimet, pavarësisht se i dinë risqet që i kërcënojnë.
“Nuk është se është e lirë dhe qytetarët do të shkojnë të marrin produktet, se e kanë të domosdosshme. Të sigurojnë biznesin nga zjarri, nga përmbytja apo ta sigurojë nga ndërprerja e biznesit. Apo nga rreziqe të tjera që janë nga më të ndryshmet.
Pra, secili e di çfarë risku ka dhe çfarë duhet të sigurojë. Por në përgjithësi, edhe bizneset janë të ngurta. Janë pak. Janë ato investimet e huaja. Pjesa tjetër, e bizneseve shqiptare, nuk është se janë të interesuara për sigurimin. Për arsye të mentalitetit. Sepse i njëjti mentalitet është në Shqipëri.
Atëherë çfarë ndodh? Bizneset duke qenë se marrin kredi janë të detyruar të bëjnë sigurimin e pasurive dhe kolateraleve që lenë nëpër banka dhe jetës, për shkak të kredive që marrin”, thotë ndër të tjera për A2 CNN themeluesi dhe CEO i kompanisë më të madhe të sigurimeve në vend.
LEXO EDHE: “Më e madhja dhe më e besuara”/ Top News: SIGAL UNIQA, lidere e tregut të sigurimeve për vitin 2023