Nga Dr. Skënder Brataj
Gripi është një sëmundje respiratore e shkaktuar nga viruse që infektojnë rrugët e frymëmarrjes si hundën, fytin dhe mushkëritë, infektimi i të cilave ndjek një tendencë tipike sezonale. Zakonisht kulmi i tij në përgjithësi regjistrohet nga dhjetori deri në fund të shkurtit.
Çfarë e shkakton gripin?
Gripi është një infeksion viral i rrugëve të frymëmarrjes, i shkaktuar nga viruset ARN që i përkasin gjinisë Orthomyxovirus e cila përfshin tre gjini:
Gripi i tipit A, më i zakonshmi, Gripi i tipit B dhe Gripi më pak i zakonshëm C.
Virusi i gripit A i nënshtrohet variacioneve të mëdha dhe të vogla antigjenike, tipi B vetëm ndaj mutacioneve të vogla, ndërsa tipi C është homogjen. Po kështu, vaksinat e reja duhet të prodhohen çdo vit bazuar në parashikimet për shtamet që do të shkaktojnë sëmundjen.
Për rrjedhojë, shkakton zhvillimin e epidemive të kufizuara në muajt e dimrit (viruset A dhe B), apo edhe pandemitë. (virusi A) i cili shfaqet çdo 10-30 vjet me rezultate dramatike (në vitin 1918, gripi “spanjoll” mori mbi 75 milionë viktima).
Si transmetohet?
Gripi transmetohet lehtësisht nga ajri: të gjithë viruset e influencës përhapen përmes spërkalave të pështymës që zakonisht emetohen nga teshtitja, kollitja ose duke folur në një distancë shumë të afërt me një person tjetër. Kur viruset arrijnë në mukozën e traktit respirator, ato shkaktojnë infeksion.
Viruset e gripit janë në gjendje të mbijetojnë përkohësisht jashtë trupit, kështu që transmetimi mund të ndodhë edhe në mënyrë indirekte nga duart, objektet dhe sipërfaqet të tilla si shamitë, dorezat, çelsat e dritës dhe rubineta të ndotura rishtazi nga sekrecionet e frymëmarrjes. Për këtë arsye, gripi përhapet më lehtë tek familjarët, shokët e klasës apo kolegët dhe në vende të mbyllura dhe të mbushura me njerëz si transporti publik, lokalet apo kinematë.
Për sa kohë mund të transmetohet gripi?
Njerëzit që kontraktojnë virusin e gripit fillojnë të jenë ngjitës përpara se të fillojnë simptomat. Në veçanti, periudha ngjitëse shtrihet nga 36-48 orë para deri në afërsisht 3-7 ditë pas fillimit të sëmundjes. Kjo do të thotë se virusi i gripit mund të transmetohet edhe nga njerëz në dukje të shëndetshëm.
Fëmijët e vegjël, njerëzit me sëmundje të rënda dhe ata me sistem imunitar të dobësuar mund të infektojnë të tjerët për periudha më të gjata. Edhe individët asimptomatikë ata që infektohen por nuk shfaqin kurrë simptoma të dukshme mund ta transmetojnë gripin.
Periudha e inkubacionit të gripit, pra koha ndërmjet infeksionit dhe zhvillimit të simptomave klinike, është mjaft e shkurtër, zgjat afërsisht 1-2 ditë.
Simptomat e gripit
Gripi mund të shkaktojë simptoma të lehta deri të rënda, të karakterizuara nga:
Simptomat që prekin traktin respirator, të cilat janë gjithmonë të prekura si kollitje, teshtitje, dhimbje fyti, lotimit të syve.
Simptomat e përgjithshme, që prekin të gjithë organizmin si të dridhura, ethe, dhimbje koke, dhimbje të përhapura të muskujve, ndjenjë rraskapitjeje dhe gjendje e keqe e përgjithshëme.
Lloji i simptomave të ndryshmet dhe mënyra se si ato shfaqen përcaktojnë diagnozën e saktë. Së pari, fillimi i simptomave të gripit është zakonisht i papritur.
Gripi karakterizohet nga prania e temperaturës së lartë me fillim të menjëhershëm (38-40°C, zgjat të paktën 3-4 ditë), djersitje, dhimbje koke e pranishme në 80% të rasteve.
Në nivel sistemik, shfaqen, dhimbja e kockave dhe muskujve të përhapur në të gjithë trupin, dobësi fizike, përgjumje, zënie hundësh, sekrecione, dhimbje fyti, teshtitje, kollë e thatë (jo katarale). Dhimbje gjoksi gjatë frymëmarrjes, madje mjaft intensive në disa raste, mund të shfaqen konjuktivit, fotofobi (shqetësim nga drita) dhe simptoma gastrointestinale, duke përfshirë ulje të oreksit, të përziera, të vjella, diarre dhe kontraktime abdominale.
Sa zgjat gripi?
Simptomat e gripit zakonisht zgjasin 3-4 ditë dhe shumica e njerëzve shërohen plotësisht nga sëmundja brenda një jave, pa ndonjë pasojë të rëndësishme. Në disa raste, gripi mund të lërë një ndjenjë lodhjeje që mund të zgjasë deri në dhjetë ditë ose dy javë pasi simptomat të jenë zhdukur.
Rreziqet dhe komplikimet.
Gripi është një sëmundje infektive me ecuri përgjithësisht beninje. Megjithatë, disa kategori të popullsisë paraqesin një rrezik në rritje për të zhvilluar pasija më serioze ose për të shkaktuar përkeqësimin e sëmundjeve para-ekzistuese, si asma, diabeti dhe sëmundjet e zemrës.
Për këtë arsye rekomandohet kryerja e vaksinimit kundër gripit çdo vit.
Në veçanti, njerëzit që konsiderohen me rrezik të lartë janë:
- Të moshuarit (më shumë se gjysma e rasteve të rënda dhe të komplikuara janë regjistruar në subjekte mbi 65 vjeç),
- Pacientët me sëmundje kronike, të tilla si diabeti, sëmundjet autoimune ose kardiovaskulare dhe sëmundjet pulmonare,
- Gratë shtatzëna,
- Fëmijët nga 6 muaj deri në 5 vjeç.
- Pacientët me imunitet të ulët dhe kemioterapi.
Cilat janë ndërlikimet e mundshme të gripit?
Tek njerëzit e shëndetshëm, gripi rrallë shkakton komplikime, por në njerëz më të prekshëm, ai mund të hapë rrugën për sëmundjet e tjera si infeksione shoqëruese nga viruse ose baktere të tjera. Viruset e gripit, në fakt, shkatërrojnë qelizat e mukozës së frymëmarrjes, duke favorizuar depërtimin e baktereve patogjene. Infeksionet që mbivendosen më shpesh me gripin janë bronkitet dhe pneumonia, të dyshuara nga vazhdimi ose përsëritja e temperaturës dhe kollës pas zgjidhjes së dukshme të sëmundjes parësore.
Në disa raste, mund të ndodhin dehidratimi, infeksionet e veshit (otiti) ose sinusiti.
Gripi mund të përkeqësojë problemet para-ekzistuese te njerëzit me emfizemë, bronkit kronik ose azmë të cilat mund të çojnë në insufiçenc respiratore ose insuficencë kardiake, miokardit, encefalit ose miozit, rabdomioliz dhe insufiçenc të shumë organeve si insufiçenc respiratore dhe renale.
Rastet e rënda të gripit mund të ndodhin edhe tek njerëzit e shëndetshëm që nuk janë në asnjë prej kategorive të mësipërme.
Simptoma si kolla produktive me sekrecione, temperatura e lartë dhe vështirësi në frymëmarrje duhet ta çojnë pacientin të kërkojë kujdes të menjëhershëm mjekësor.
Parandalimi
Parandalimi i gripit bëhet duke e mbajtur sistemin tuaj imunitar të shëndetshëm, nëpërmjet një diete të shëndetshme dhe të ekuilibruar të kombinuar me një mënyrë jetese aktive dhe menaxhim optimal të stresit të përditshëm.
Për të reduktuar rrezikun e gripit, një rregull mbetet larja e duarve me kujdes dhe shpesh me ujë të ngrohtë dhe sapun. Në mënyrë alternative, mund të përdoren solucione pastrimi me bazë alkooli ose peceta dezinfektuese.
Shmangni, nëse është e mundur, kontaktin e ngushtë me njerëzit me infeksionin aktual
Ajrosni rregullisht dhomat ku qëndroni, shmangni kontaktin e duarve të papastra me sytë, hundën dhe gojën
Mbuloni gojën dhe hundën me një fazolet kur kolliteni dhe teshtitni.
Vaksinimi kundër gripit është mënyra më efektive për të mbrojtur veten.
Mbrojtja zhvillohet afërsisht dy javë pas administrimit të vaksinës.
Për shkak se viruset e gripit ndryshojnë shpesh, këshillohet që të vaksinohen çdo vit.
Koha më e mirë për t’u vaksinuar është nga mesi i tetorit deri në fund të dhjetorit.
Terapia kundër gripit
Njerëzit e shëndetshëm nuk kanë nevojë të konsultohen me mjekun.
Në mungesë të komplikimeve, trajtimi është simptomatik dhe para së gjithash përfshin:
Pushim dhe regjim shtrati, qëndrim në ambient të ngrohtë, marjen e lëngjeve të shumtë uji për të shmangur dehidratimin, konsumoni vakte lehtësisht të tretshme.
Nëse është e nevojshme, paracetamol ose ibuprofen mund të përdoren për të ulur temperaturën e lartë dhe për të lehtësuar dhimbjen dhe inflamacionin.
Antivirale si frenuesit e neuraminidazës si oseltamivir dhe zanamivir si dhe frenuesit e proteinës virale M2, amantadina dhe rimantadine të cilat mund të zvogëlojnë përkeqësimin dhe kohëzgjatjen e gripit, por ato duhet të meren me shfaqjen e shenjave të para të sëmundjes, brenda 48 orëve të fillimit të simptomave
Antibiotikët specifikë mund të përshkruhen nga mjeku në prani të komplikimeve, por ato janë plotësisht joefektive në trajtimin e gripit duke pasur parasysh natyrën e tij virale dhe jo bakteriale, gjithashtu ato dobësojnë më tej imunitetin.
Shkrimi është marrë nga profili në Facebook i Drejtorit të Urgjencës Kombëtare