Të dhënat zyrtare tregojnë se 710 pacientë me kancer të gjirit u diagnostikuan në vitin 2022 në të gjithë vendin duke shënuar një rritje prej rreth 9% krahasuar me vitin 2015.
Mjekja onkologe në Njësinë e Kimioterapisë në QSUT, Amanda Zeko thotë se moshat më të riskuara janë ato të grave mbi 50 vjeç, por përjashtim nuk bëjnë as rastet tek burrat.
“Në periudhën 2015-2019 është parë një rritje, kemi rreth 700 raste të reja me kancer gjiri në vit. Risku i shfaqjes së kancerit të gjirit ka një rritje graduale me moshën, vazhdon të jetë mosha më e prekur ajo e 50-69 vjeç. Dua të theksoj që kanceri i gjirit tek burrat nuk është inekzistent, 1 në 833 burra mund të preket nga kanceri i gjirit gjatë jetës”.
LEXO EDHE: 25 milionë njerëz çdo vit sëmuren me kancer, 11 milionë humbin jetën
Teksa “Tetori Rozë” shërben si muaji i ndërgjegjësimit për gratë dhe vajzat, specialistët rekomandojnë kryerjen e mamografisë minimalisht 1 herë në vit.
“Sipas rekomandimeve të shoqatave ndërkombëtare onkologjike është e nevojshme kryerja e mamografisë çdo vit ose njëherë në dy vite për gratë nga mosha 50-69 vjeç, sikurse rekomandohet për gratë nga mosha 40-49 vjeç apo edhe ato të moshës 70-74 vjeç.”
Sipas të dhënave zyrtare, incidenca e të diagnostikuarave me kancer gjiri është më e lartë në qarqet Berat, Fier dhe Vlorë dhe më e ulët në qarqet e Kukësit, Dibrës, Durrësit dhe Shkodrës, ndërsa në gjithë vendin janë më shumë se 5,000 gra që vuajnë nga ky problem shëndetësor.