Në strategjinë për 5-vjeçarin e ardhshëm 2023-2027, të miratuar së fundmi nga Bordi i Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, parashikohet kalimi në një regjim të ri mbikëqyrjeje në tregun e sigurimeve.
Në dokument, zbatimi i regjimit Solvency II, i cili aplikohet tashmë në të gjitha vendet e Bashkimit Evropian, cilësohet si një nga prioritetet kryesore të punës së AMF për vitet në vazhdim, si edhe një detyrim në negociatat për kapitullin 9 të udhëhequr nga ky institucion.
Kalimi në një regjim të ri mbikëqyrës parashikohet të bëhet në mënyrë graduale, me disa faza, duke përfshirë periudhën përgatitore, ndërmarrjen e ndryshimeve të nevojshme ligjore e rregullatore, deri në implementimin e plotë, që parashikohet të jetë pas 7 vitesh.
Ashtu si edhe në shumicën e vendeve evropiane, ky regjim pritet të sjellë kërkesa të shtuara si për rregullatorin, ashtu edhe për shoqëritë që operojnë në tregun e sigurimeve.
Solvency II, i cili nisi zbatimin në BE në janar të vitit 2016, krijon një sistem të avancuar mbikëqyrjeje por edhe funksionimi të shoqërive, të bazuar mbi riskun, duke sjellë avantazhe përmes rritjes së mëtejshme të standardeve të rregullimit, por edhe të vetë operimit të tregut.
Sipas strategjisë së AMF, tashmë është miratuar udhërrëfyesi për kalimin drejt regjimit të ri të mbikëqyrjes, i hartuar me asistencën e ekspertëve të Bankës Botërore.
Regjimi i avancuar evropian i mbikëqyrjes parashikon kërkesa të reja dhe komplekse, në nivel teknik dhe organizativ, për shoqëritë e sigurimit dhe AMF-në. Tre shtyllat kryesore përbërëse të Solvency II janë kërkesat sasiore që kanë të bëjnë me kapitalin dhe aftësinë paguese, kërkesat për qeverisjen korporative dhe administrimin e rrezikut të shoqërive, si edhe kërkesat për publikimin e informacionit dhe transparencën.
Sipas udhërrëfyesit, të miratuar nga Bordi i AMF në janar të këtij viti, që nga momenti i fillimit të aplikimit deri në zbatimin e plotë të Solvency II, planifikohet një periudhë shtatë vjeçare.
Aktivitetet përgatitore planifikohen të shtrihen në pesë vjet, ndërkohë që viti i gjashtë pritet të shërbejë për miratimin e rregulloreve, duke funksionuar gjithashtu edhe si një vit ushtrimor, ku siguruesit do të raportojnë sipas regjimit të ri.