“Scan Intel” ka analizuar ndryshimin e çmimeve të konsumit për grupet dhe nëngrupet kryesore, sot me periudhën para luftës. Duke qenë se norma e inflacionit mat ndryshimin vjetor të çmimeve, pra nga një muaj i caktuar krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës, ndryshimin e çmimeve në Shqqipëri do ta zbërthejmë duke krahasuar shkurtin 2023 me shkurtin 2021, për arsye se inflacioni zyrtar krahasohet me shkurtin 2022, periudhë kur lufta kishte filluar dhe kriza e çmimeve po ashtu.
Nga përpunimi i shifrave rezulton se, çmimet në Shqipëri sot janë 11.2% më të shtrenjta se përpara luftës, në total. Por, rritje të ndjeshme regjistrojnë ushqimet, që për më tepër zënë mbi 40% të shpenzimeve mujore të një familje në vendin tonë. Më në detaj kuptojmë se ushqimet janë 22.4% më të shtrenjta, dhe se “qumështi, djathi dhe vezët” janë në vend të parë, më saktësisht, plot 32.3% më të “kripura” se shkurti i 2021-shit, pra përpara luftës. Pas tyre ndjek nëngrupi “vajra dhe yndyra”, me 29.3% shtrenjtim. Zarzavatet ndërkohë janë në vend të tretë, plot 27.5% më të shtrenjta.
Më pas ndjek “buka dhe drithërat”, me çmimet 23% më të larta, si dhe ëmbëlsirat, plot 20.7% më të “kripura”. Mishi rezulton plot 18.2% më i shtrenjtë sot se përpara luftës, dhe peshku plot 16.5% më i shtrenjtë. Të gjitha nëngrupet e ushqimeve por edhe pijeve joalkoolike rezultojnë në rrije të ndjeshme të çmimeve në harkun e vetëm dy viteve në vendin tonë. Frutat ndërkohë janë nëngrupi që regjistron rritjen më të ulët të çmimeve mes ushqimeve, me vetëm 5.6%, sinjalizojnë shifrat zyrtare nga Instituti i Statistikave, të analizuara dhe përpunuara nga “Scan Intel”.
Sa i përket grupeve të tjera, pas “ushqimeve dhe pijeve joalkoolike”, në rritje me 21.3% të çmimeve në harkun e dy viteve të fundit, ndjek grupi “hotele, kafene dhe restorante”, me 8.8% rritje. Vijon më pas grupi “mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje e shtëpisë” me 7.7%, si dhe “pije alkoolike dhe duhan” me 7.3%. Edhe grupi “Argëtim dhe kulturë” rezulton plot 6.2% më i shtrenjtë se përpara luftës dhe ndiqet nga “veshje dhe këpucë” me 5.5%. Ajo që bën habi, dhe që e kemi nënvizuar vazhdimisht gjatë vitit të fundit është grupi “qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, me vetëm 4.9% shtrenjtim gjatë dy viteve.
Pra, grupi ku përfshihet karburanti dhe qiraja e shtëpisë, dy zëra që kanë regjistruar një rritje të theksuar të çmimeve me krizën e çmimeve, sipas Instat është shtrentjuar më pak se argëtimi dhe kultura, më pak se veshjet dhe këpucët apo më pak se hotelet dhe kafenetë e restorantet, duke ngritur shumë pikëpyetje në lidhje me saktësinë e normës së inflacionit në vendin tonë.