Çmimet e apartamenteve në Tiranë janë rritur me 20-30% që pas periudhës së pandemisë. Agjentët imobilarë thonë se ndikim kryesor ka pasur çmimi i materialeve të ndërtimit, por dhe kërkesat e larta për të blerë apartamente.
Blerja e një apartamenti po bëhet gjithnjë e më e vështirë në kushtet kur çmimet po shënojnë vetëm rritje në kryeqytet.
Sipas ekspertëve, çmimet kanë pësuar rritje me 20-30% dhe duke parë tregun nuk parashikohet që ky trend të ndryshojë nxitur edhe nga kostoja e rritur e materialeve të ndërtimit por jo vetëm.
“Lufta është element kryesor dhe derivat i kësaj vijnë të gjithë pjesët e tjera, lëndët e para, materialet e ndërtimit, fuqia punëtore. Çdo taksë që rritet ndikon drejtëpërdrejtë në çmimin final të apartamenteve. Në Tiranë kemi dhe pronarët e truallit që tani po negociojnë shumë fort për shkak se ka pak hapësira të lira dhe po maksimizojnë fitimet e tyre”.
Agjenti imobilar Orgest Beti thotë se Tirana mban rekordin për kërkesa të shtuara të apartamenteve duke mos përjashtuar dhe qytetet bregdetare.
“Nuk shikoj të ketë një ulje për shkak të kërkesës së lartë. Sot në Tiranë kemi një mungesë në tregun imobilar të apartamenteve. Po të heqim pjesën e bregdetit, nga Durrësi në Sarandë, ka një rritje të konsiderueshme dhe atje të çmimeve. Ndërsa pjesa tjetër e Shqipërisë ka një stanjacion, çmime konstante.”
Kërkesë për apartamente së fundmi ka dhe Korça.
“Edhe Korça po kthehet në një pikë të rëndësishme, kemi fluks kërkesash nga të huajt kryesisht.”
Lëvizja demografike e popullatës drejt kryeqytetit apo largimi i qytetarëve drejt vendeve të BE-së ka bërë që zonat e thella nuk kanë pothuajse fare kërkesa.