2.5 C
Tirana
Sunday, November 24, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetPër herë të parë që nga viti 2013, rriten shpenzimet e bankave...

Për herë të parë që nga viti 2013, rriten shpenzimet e bankave për interesa

Shpenzimet e sektorit bankar për interesa u rritën vitin e kaluar për herë të parë në një dekadë.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë tregojnë se për vitin 2022 sektori bankar shpenzoi për interesa pothuajse 8.8 miliardë lekë, në rritje me 19.2% krahasuar me një vit më parë.

Shpenzimet për interesa madje janë rritur edhe më shumë se të ardhurat bruto nga interesat, që për vitin e kaluar u rritën me 14%. Megjithatë, duke qenë se baza e rritjes në rastin e të ardhurave nga interesat ishte shumë më e lartë, në vlerë absolute rezultati neto nga interesat ka vijuar rritjen.

Rritja e fundit e shpenzimeve të sektorit bankar për interesa ishte regjistruar në vitin 2013, ndërsa për vitet në vazhdim ulja graduale e normave të interesit drejt niveleve minimale historike kishte ulur shpenzimet e bankave për interesa, pavarësisht rritjes së detyrimeve në bilanc.

Shpenzimet e bankave për interesa janë të lidhura, në masën dërrmuese, me depozitat e publikut. Depozitat përbëjnë rreth 90% të detyrimeve të sektorit bankar në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në fund të vitit 2022 vlera totale e depozitave bankare arriti në 1.52 trilionë lekë, në rritje vjetore me 5.9%, e ardhur kryesisht nga rritja e depozitave në valutë.

Megjithëse rritja e depozitave është ngadalësuar ndjeshëm nga niveli prej 11.4% i vitit 2021, shpenzimet për interesa u rritën, kryesisht si rezultat i transmetimit relativisht të shpejtë të lëvizjeve të politikës monetare. Prej muajit mars deri në muajin nëntor 2022, Banka e Shqipërisë rriti normën bazë të interesit nga 0.5% në 2.75%.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, norma mesatare e interesit për të gjitha depozitat me afat në lekë në dhjetor 2022 arriti në 1.89%, në rritje për të gjashtin muaj radhazi.

Krahasuar me një vit më parë, interesi i depozitave me afat në lekë është rritur me 1.22 pikë përqindje ose 182%. Ndërsa krahasuar me muajin mars, kur Banka e Shqipërisë nisi ciklin rritës të normës bazë, interesi mesatar i depozitave me afat në lekë është rritur me 1.19 pikë përqindje ose 170%.

Normat e interesit janë rritur edhe për depozitat në euro, ndonëse me një ritëm më të ngadaltë. Në dhjetor, norma mesatare e interesit të depozitave me afat në euro arriti në 0.83%, nga 0.29% që kishte qenë në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja e normës së interesit të depozitave, veçanërisht për lekun, është ndikuar shumë nga tregu primar i letrave me vlerë të qeverisë. Në gjysmën e dytë të vitit të kaluar, yield-et shënuan një rritje të fortë, duke i bërë këto instrumente më joshëse për investitorët e vegjël.

Të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare treguan se për vitin 2022 blerjet e individëve në tregun primar të bonove dhe obligacioneve arritën në 49.6 miliardë lekë, me një rritje rekord prej 216% krahasuar me një vit më parë. Kjo rriti trysninë mbi bankat për të rritur normat e interesit të depozitave./Monitor

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat