Një 69 vjeçar ka ndërruar jetë pasi u përplas nga një automjet mbrëmjen e djeshme në Tiranë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Tre Dëshmorët”, ku drejtuesi i mjetit taksi, 31 vjeçari Laurent Lavdaraku aksidentoi për vdekje shtetasin Albert Zade, 69 vjeç, shkruan Abc.
“Më datë 09.02.2023, rreth orës 18:40, në rrugën “Tre Dëshmorët”, shtetasi L. L., 31 vjeç, duke drejtuar automjetin ka aksidentuar shtetasin A. Z., 69 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të aksidentit”, thuhet në njoftimin e Policisë.
Po mbrëmjen e djeshme, një tjetër aksident me dy të plagosur u regjistrua në qytetin e Fierit, pranë ish-parkut të mallrave.
Një automjet është përplasur me një “Benz” dhe për pasojë ka humbur kontrollin dhe ka rënë në kanal.
Nga informacionet e para mësohet se nga ky aksident kanë mbetur të plagosur dy persona të cilët janë dërguar me urgjence në spitalin e Fierit.
Aksidentet Rrugore dhe nevoja për të qenë të siguruar
Aksidentet rrugore vijojnë të mbeten një problem serioz për Shqipërinë.
Çdo ditë dëgjojmë për disa disa aksidente, një pjesë e tyre fatkeqësisht edhe me viktima.
Në dhjetëmujorin e vitit 2022, janë regjistruar 968 aksidente rrugore, ndërsa numri i të aksidentuarve është 1.362 persona, raporton INSTAT.
Qarku më problematik mbetet Tirana me 42 aksidente rrugore gjatë muajit tetor. E ndjekur nga Gjirokastra me 9 dhe Durrësi me 8. Berati është qarku i vetëm që nuk ka regjistruar asnjë aksident rrugor gjatë tetorit 2022, raporton Policia e Shtetit.
PSE DUHET TË JEMI TË SIGURUAR GJATË GJITHË KOHËS
Një aksident, veç pasojave materiale apo fizike, ka edhe me kosto të larta financiare për përgjegjësin e aksidentit, gjë që e thellon edhe më shumë ngjarjen. Ndaj vazhdimisht kemi apeluar tek qytetarët që të bëjnë kujdes me qarkullimin në rrugë, duke respektuar normat e qarkullimit, duke vendosur rripin e sigurimit por në të njëjtën kohë të marrin masa për t’i paraprirë çdo rreziku potencial, duke kryer sigurimin e përgjegjësisë ndaj palëve të treta.
Sigurimi i përgjegjësisë ndaj palëve të treta, ose TPL, na mbron duke ofruar garanci dhe pagesë financiare për çdo dëm që me mjetin tonë i shkaktojmë palëve të treta.
Kompanitë e Sigurimit nuk bëjnë gjë tjetër veçse ndihmojnë drejtuesin e automjetit shkaktar të dëmit të heqë këtë përgjegjësi nga vetja, duke i marrë përsipër mbulimin e dëmit të shkaktuar.
Në të kundërt, automatikisht shkaktari paguan nga xhepi çdo dëm që shkakton tek të tretët, që mund të jetë edhe qindra milionë lekë.
Në Shqipëri, rreth 23% e mjeteve të pasiguruara, dëmet prej tyre në rritje
Në Shqipëri është një numër i lartë i mjeteve të pasiguruara.
Sipas të dhënave nga DPSHTRR, në fund të vitit 2021 numri i automjeteve aktive ose të çregjistruara përkohësisht në Shqipëri, ishte rreth 741 mijë.
Mbështetur në të dhënat e Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, për të njëjtin vit kompanitë e sigurimeve raportuan 568 mijë polica sigurimi të shitura në klasën e sigurimit motorik për përgjegjësitë e brendshme ndaj palëve të treta.
Nga raporti mes këtyre shifrave rezulton se më pak se 77% e mjeteve të regjistruara janë siguruar sipas kërkesave të ligjit për sigurimet e detyrueshme motorike.
23% e totalit, ose rreth 173 mijë mjete, rezultojnë të pasiguruara.
Shifra në vetvete është shumë e lartë dhe përfaqëson një vlerësim maksimal, pasi me shumë mundësi një pjesë e madhe e këtyre mjeteve nuk qarkullojnë rregullisht.
Si mund të flitet ende në vitin 2022 për automjete që lëvizin të pasiguruara? Ku është Policia e Shtetit, e cila ka detyrim të kontrollojë çdo automjet që të mos qarkullojë pa siguracionin e detyrueshëm?
Si mund të flitet për drejtues mjetesh që sigurojnë makinën nga frika e policit në rrugë dhe nuk sigurojnë shëndetin e tyre?
Madje edhe siguracionin e detyrueshëm të makinës, që shumë individë e konsiderojnë “taksë”, e bëjmë në fakt që ti “mbyllim sytë” policit në rrugë por harrojmë që ajo është një kontratë sigurimi, që mbulon përgjegjësinë e drejtuesit të mjetit ndaj palëve të treta, ato materiale dhe ato shëndetësore mbi të gjitha, që kushtojnë jo pak.
Ja limitet e dëmshpërblimit që mbulon Siguracioni TPL:
- Për dëme pasurore, me pasojë vdekjen, dëmtime shëndetësore dhe përkeqësime të shëndetit, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh të ardhura nga një ngjarje sigurimi:
- për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 150 000 000 lekë;
- për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 200 000 000 lekë;
- për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 50 000 000 lekë;
- Për dëme jopasurore, të shkaktuara nga një aksident ose seri aksidentesh, të ardhura nga një ngjarje sigurimi, si më poshtë:
- dëmi moral dhe ekzistencial, nga vdekja apo paaftësia, e pjesshme e përhershme 1,000,000 lekë;
- dëmi moral dhe ekzistencial, nga dëmtime të tjera 500 000 lekë;
- dëmi moral, nga paaftësia totale, e përhershme 2 000 000 lekë;
- dëmi ekzistencial, nga paaftësia totale e përhershme 1 500 000 lekë;
- dëmi biologjik nga vdekja apo paaftësia totale e përhershme 1 000 000 lekë;
- kufiri minimal i përgjegjësisë për çdo person të dëmtuar në një ngjarje të sigurimit, 20 000 000 lekë;
- për dëme, të lidhura me dëmtimin apo shkatërrimin e pronës, nga një ngjarje:
– për autobusë dhe kamionë, përfshirë rimorkiot 15 000 000 lekë;
– për mjete, që transportojnë lëndë të rrezikshme 20 000 000 lekë;
– për mjete të tjera, përfshirë mjetet e paidentifikuara 10 000 000 lekë.
Kujdes! Mos udhëtoni nëse automjeti juaj nuk ka siguracionin e nevojshëm pasi pasojat finanaciare mund të jenë tepër të larta dhe mund të çojnë në rrënim ekonomik për gjithësecilin.
LEXO EDHE: Siguracioni i detyrueshëm i makinës/ Hapat që duhet të ndiqni për tu dëmshpërblyer në rast dëmi