Nga 20 euro deri në 60 euro në ditë do të jetë pagesa për qëndrimin e skafeve lundruese në portin e Durrësit për vitin 2021.
Tarifat për përpunimin e mallrave, si: çelik, hekur, zarzavate do të variojnë nga 489 lekë/ton deri në 2,133 lekë për ton.
Ndërsa tarifat e vendakostimit të anijeve me çisterna, të mallrave rifuxho dhe mallrave gjeneralë do të variojnë nga 3,5 deri në 4,4 euro për metër linear.
Tarifat e shërbimit portual në Durrës janë përcaktuar në udhëzimin e përbashkët të ministres të Infrastrukturës dhe Energjetikës, Belinda Balluku dhe ministres të Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, i botuar në Fletoren Zyrtare. Tarifat e shërbimit portual do të jenë në fuqi përgjatë 2021.
Nga aplikimi i tarifave do të përjashtohen tragetet në pikun e lëvizjes nga 15 korriku deri më 15 shtator dhe nga periudha e 15 dhjetorit deri më 15 janar.
Udhëzimi përcakton se tarifat dhe interesat për anijet dhe ngarkesat paguhen nga zotëruesi ose personi që ka në ngarkim anijen ose mallin dhe mblidhen nga Autoriteti Portual ose nga një operator i autorizuar. Tarifat dhe interesi për mjetet e transportit paguhen nga zotëruesi i mjetit dhe mblidhen nga Autoriteti Portual ose nga një operator i autorizuar.
Në udhëzim thuhet se Autoriteti Portual ose një operator i autorizuar ka të drejtën të mbajë anijen ose të ardhurat nga shitja e saj si garanci për shumën që anija detyrohet dhe konkretisht kjo shumë ka lidhje me: a) tarifat dhe interesin që duhet të shlyeje anija për qëndrimin e saj ose për mallrat e ngarkuara në të; b) dëmtimin e pronës nga anija ose ekuipazhi i saj.
Autoriteti Portual ose një operator i autorizuar mund të marrë si garanci mallra për shumën që i duhet të paguajë anija për tarifat dhe interesin. Kur mallrat e mbajtura për garanci janë mallra që prishen, Autoriteti Portual mund t’i shesë me çmim të arsyeshëm dhe të ardhurat kreditohen për të shlyer pagesën që duhet të paguhet për anijen dhe mallrat.
/Monitor