15.5 C
Tirana
Friday, November 22, 2024
spot_img
Faqe KryesoreLajmeAktualitetShqipëria 4 fonde pensionesh me 46,5 milionë euro asete; Maqedonia e Veriut...

Shqipëria 4 fonde pensionesh me 46,5 milionë euro asete; Maqedonia e Veriut 3 fonde me mbi 1,7 miliard euro asete. Ç’duhet ndryshuar

Pensionet mund të duken të komplikuara, por në fakt gjërat janë shumë të thjeshta. Pensioni juaj shtetëror mund të mos jetë i mjaftueshëm për të patur një pleqëri të qetë financiare ndaj fondet vullnetare të pensioneve po marrin një hov të madhe dhe në Shqipëri.

Sipas të dhënave nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, në fund të muajit shtator pak më shumë se 36 mijë shqiptarë ishin të anëtarësuar në këto fonde.

4 Fondet që operojnë në vendin tonë janë zgjeruar me afërsisht 900 anëtarë gjatë tremujorit të tretë 2022 dhe me 2400 të tillë që nga fillimi i vitit.

LEXO EDHE: 9-mujori, AMF: Tregu i pensioneve private rritet me 19%, Fondi SIGAL mbetet në krye

Tregu i pensioneve private po rritet me ritme të qëndrueshme në vitet e fundit, por përmasat e tij ngelen modeste kur i krahasojmë edhe me vendet fqinje si Maqedonia e Veriut.

Vlera neto e aseteve të tregut në fund të shtatorit arriti në 5.45 miliardë lekë ose rreth 46.5 milionë euro. Ndërsa Maqedonia e Veriut edhe pse ka vetëm 3 fonde pensionesh private numëron mbi 1.7 miliardë euro asete.

Çfarë duhet të bëjmë që minimalisht të jemi në një nivel me shtetin tonë fqinj lindor?

 Sipas ekspertëve, nevojiten ndërhyrje në sistemin e pensioneve dhe ofrimi i formave alternative midis sistemit shtetëror dhe atij privat, i cili do të gjeneronte pensione më të larta për qytetarët.

 I këtij mendimi është edhe Elvis Ponari, Administrator i Përgjithshëm i Fondit të Pensioneve Vullnetare SIGAL, njëherazi edhe Kryetar i Shoqatës së Siguruesve të Jetës, Pensioneve dhe Fondeve të Investimeve.

“Në botë, në Europë. E ke edhe në Maqedoni. Ti do marrësh 20% nga ISSH, 20% nga Kolona e Dytë, pension nga punësimi që është një skemë suplementare dhe 20% nga Kolona e Tretë ose Pensioni Vullnetar. Që kur të dalësh në pension të marrësh të paktën 60% të pagës tënde të fundit”, shprehet Ponari.

Tre kolonat e pensioneve dhe si funksionojnë të trija bashkë?

Kolona e Parë” është pensioni që marrim nga skema shtetërore (ISSH)

Kolona e Dytë” është pension nga punësimi ku çdo i siguruar në skemën e sigurimit të detyrueshëm shtetëror, paguan një pjesë të kontributeve individuale në një fond privat pensionesh.

Në këtë mënyrë, me plotësimin e kushteve për përfitim pensioni, të ardhurat e personave të siguruar përbëhen nga dy burime: një e ardhur (pension) nga skema e sigurimit të detyrueshëm shteteror dhe një tjetër e ardhur (pension) nga skema private e sigurimit.

Ndërsa “Kolona e Tretë” është një sistem krejtësisht vullnetar me manaxhim privat, ku çdo person që dëshiron të ketë burime të ardhurash më të larta në periudhën e pensionit hyn në marrëdhënie sigurimi me këto institucione private, të cilat, nëpërmjet një menaxhimi efikas, sigurojnë të ardhura më të mëdha dhe përfitime shtesë kundrejt pagimit të kontributeve.

Këto modele, krahas të gjithë vendeve të zhvilluara si Gjermania, Franca, Italia etj, i gjemë edhe në Kosovë e Maqedoninë e Veriut.

Shembull i Maqedonisë së Veriut:

Kontributi për pension në Maqedoninë e Veriut është 18% e pagës, nga të cilët 13% derdhet në Fondin e Sigurimeve Shoqërore për skemën shtetërore (kolona e I) dhe 5 % derdhet në fondet private (kolona e II).

Me plotësimin e moshës çdo njeri merr dy pensione, një shtetëror dhe një privat të formuar nga kontributet e derdhura dhe fitimi nga investimi i tyre.

Vetëm tre vënde të Ballkanit Perëndimor, Shqipëria, Bosnje-Hercegovina dhe Serbia nuk e kanë kompletuar sistemin e pensioneve me “Kolonën e Dytë”, kjo është edhe një nga arsyet pse niveli i pensioneve në këto vende është me i ulti krahasuar me vendet e tjera të rajonit.

Për kushtet ku ndodhet Shqipëria, futja e një sistemi privat pensionesh është më i përshtatshëm.

Kjo për 3 arsyet si më poshtë:

Së pari, në Shqipëri afro 75-80% e PBB-së (Prodhimi i Brendshëm Bruto) vijnë nga sektori privat, prandaj s’ka asnjë arsye të mos vlerësohet edhe në këtë fushë.

Së dyti, Përafrimi i ligjislacionit edhe në fushën e sigurimeve shoqërore është kusht për tu anëtarësuar në familjen e përbashkët europiane (BE).

Së treti, këto skema ndihmojnë më mirë ekonominë e vendit duke mobilizuar paratë e lira të popullatës nëpërmjet investimeve të tyre në instrumenta financiarë afatgjatë 5-10 vjeçare (Obligacione Shtetërore).

Jo vetëm që ka ardhur koha, por me zhvillimet ekonomike e demografike, është domosdoshmëri urgjente detyrimi me ligj për pensionet private.

Është koha t’i japim mundësinë qytetarëve shqiptarë që të kenë edhe një alternativë tjetër për ato para që paguajnë si kontribute për sigurimet shoqërore, alternativën e pensionit privat, një pension më i favorshëm, me përfitime më të larta.

LEXO EDHE: Kreu i Sigurimeve Shoqërore thirrje qytetarëve: Investoni në Fondet Private që të keni dy pensione në pleqëri

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat