28.5 C
Tirana
Wednesday, August 13, 2025
spot_img
Faqe KryesoreLajme7 leksionet që gjiganti SWISS RE ka për siguruesit, përvoja e humbjeve...

7 leksionet që gjiganti SWISS RE ka për siguruesit, përvoja e humbjeve nga zjarret në Los Anxheles

Shumë vende në Evropë mund të mësojnë nga përvoja e Kalifornisë me zjarret masive, sepse kombinimi i faktorëve që çuan në humbjet historike të kompanive të sigurimeve atje nuk është unik për bregun perëndimor të SHBA-së.

Këtë e thotë zyrtarisht një analizë gjiganti i sigurimeve dhe risigurimeve, Swiss Re.

Shembujt e fundit në Evropë përfshijnë zjarret e gjata në Portugali në vitin 2017, me humbje të siguruara prej 0.3 miliardë USD vetëm në tetor.

Në vitin 2022, gjatë një vale të madhe të nxehti, Londra u përfshi nga zjarre, pjesë e sezonit të dytë më të keq të zjarreve në Evropë që nga viti 2000.

Ndërsa në verën e vitit 2024, Greqia përjetoi zjarre të mëdha pyjore që arritën deri në periferitë e Athinës, duke rrezikuar kryeqytetin.

Zjarret shkatërruese të janarit 2025 në Los Angeles, që dogjën mbi 16 mijë ndërtesa dhe shkaktuan humbje të siguruara prej rreth 40 miliardë USD, ofrojnë mësime të vlefshme për siguruesit në Mbretërinë e Bashkuar dhe Evropë.

Ekspertët e Swiss Re theksojnë se kombinimi i faktorëve që çoi në humbjet e mëdha në Kaliforni mund të ndodhë edhe në Evropë.

Me rritjen e rrezikut nga zjarret, siç tregojnë rastet e fundit në MB, Portugali dhe Greqi, siguruesit duhet të thellojnë kuptimin e këtij rreziku.

Analiza e Swiss Re paraqet shtatë pika kyçe: kufizimi i ndërthurjes zonë urbane–pyll për të ulur ekspozimin; balancimi i çmimit dhe aksesit në sigurim; zhvillimi i modeleve të avancuara të parashikimit; shmangia e akumulimit të rrezikut me kushte të qarta mbulimi; trajtimi i veçantë i dëmeve; forcimi i masave parandaluese; dhe rindërtimi me struktura më të qëndrueshme, jo thjesht më të shpejta.

Mësimi #1 – Kufizimi i ndërthurjes zonë pyjore–urbane (WUI)

Si në SHBA, ashtu edhe në Evropë, vazhdojnë të ndërtohen shtëpi në zonën e ndërthurjes pyjore–urbane (WUI), ku ndërtesat dhe vegjetacioni i egër ndërthuren. Në qarkun e Los Anxhelosit, numri i njësive të banimit në WUI u rrit me 23% nga viti 1990 në 2020, krahasuar me vetëm 11% rritje jashtë WUI.

Ndërtesat në WUI janë shumë të ekspozuara ndaj rrezikut nga zjarret masive. Sipas Komisionit Evropian, 96% e zjarreve në BE shkaktohen nga veprimet e njeriut. Prandaj, rritja e WUI jo vetëm që shton numrin e njësive në rrezik, por rrit edhe gjasat e nisjes së zjarreve. Fragmentimi i peizazheve mund të prishë barrierat natyrore kundër zjarrit dhe të vështirësojë shuarjen. Vendet evropiane duhet të punojnë për të kufizuar zhvillimin në këto zona.

Në Evropë, kombinimi i zonave me rrezik shumë të lartë dhe depërtimit të madh të sigurimeve, si në Kaliforni, është i rrallë. Në Portugali, mbi 60% e zonave industriale ndodhen pranë pyjeve të prirura për zjarre, por zonat me rrezik të lartë kanë vlera të ulëta pronash dhe mbulim të vogël sigurimi, duke ulur humbjet e mundshme të siguruara.

Mësimi #2 – Balancimi i përballueshmërisë dhe aksesit në sigurim

Në Kaliforni, inflacioni, rritja e kostove të dëmeve, kërkesat rregullatore dhe rreziku në rritje e kanë bërë shumë të vështirë çmimin e sigurimeve ndaj zjarreve. Edhe në Evropë balancimi midis përballueshmërisë dhe aksesit mund të jetë sfidues.

Në rajonin EMEA, hendeku i mbrojtjes ndryshon shumë për shkak të tregjeve të ndryshme të sigurimeve, nga zgjidhjet private deri te skemat e detyrueshme. Në vitin 2024, hendeku i mbrojtjes nga katastrofat natyrore ishte 70% në këtë rajon, kundrejt 43% në SHBA. Në Evropë, më të ekspozuarat janë Greqia dhe Portugalia, të ndjekura nga Kroacia, Qiproja dhe Austria.

Çmimet duhet të reflektojnë plotësisht koston reale të rrezikut, për të ruajtur sigurueshmërinë. Për popullsitë me rrezik të lartë, subvencionet mund të jenë një opsion për të mbajtur çmimet të përballueshme.

Mësimi #3 – Kuptimi i sfidave në modelimin e rrezikut të zjarreve

Zjarret janë një rrezik i ndërlikuar për t’u modeluar, sepse veprimet e njeriut ndikojnë më shumë se në shumicën e fatkeqësive të tjera. Faktorët përfshijnë burimet e ndezjes, llojin dhe sasinë e vegjetacionit, erërat, reshjet para zjarrit, përhapjen nga shkëndijat, karakteristikat e pronave, kapacitetin e shuarjes dhe masat e qëndrueshmërisë së komunitetit.

Modelet tradicionale shpesh nuk i marrin parasysh ndërveprimet komplekse dhe ndryshimet vjetore. Gjithashtu, nuk llogariten drejtpërdrejt kosto të tilla si dëmtimi i infrastrukturës, shpenzimet ligjore, inflacioni social dhe rehabilitimi i tokës – që për zjarret kanë peshë më të madhe.

Swiss Re po zhvillon mjete të reja si CatNet® (harta me të dhëna të detajuara të rrezikut) dhe bashkëpunon me Bellwether për parashikimin e probabilitetit të zjarreve duke përdorur inteligjencë artificiale dhe të dhëna gjeohapësinore.

Mësimi #4 – Shmangia e akumulimit të rrezikut në portofol

Akumulimi ndodh kur një sigurues mbulon shumë prona në një zonë të prirur ndaj zjarreve. Në rast katastrofe, humbjet mund të jenë të mëdha. Swiss Re punon me siguruesit për të analizuar portofolët, vendosur kushte të qarta mbulimi dhe aplikuar kontrolle të rrepta akumulimi.

Mësimi #5 – Vlerësimi i veçantë i ndikimit të dëmeve

Në Kaliforni u vërtetua se kostoja e plotë e dëmeve nga zjarret është e vështirë të përcaktohet. Faktorët përfshijnë:

  • Kostot e zhvendosjes – mbulimi ndryshon dhe nuk është gjithmonë i qëndrueshëm.

  • Dëmet dytësore – tymi, hiri dhe rreziku i rrëshqitjes së dheut më vonë.

  • Shpejtësia e pagesës – shpesh më e shpejtë se në rreziqe të tjera.

  • Subrogimi – kërkimi i kompensimit nga palët përgjegjëse, që në Evropë është më i kufizuar ligjërisht, por i mundur.

Mësimi #6 – Përmirësimi i gatishmërisë dhe parandalimit

Tradicionalisht është investuar më shumë në shuarjen e zjarreve sesa në parandalim. Por përvoja në Portugali pas vitit 2017 tregoi se masat parandaluese si pastrimi i vegjetacionit dhe menaxhimi i pyjeve janë kyçe. Megjithatë, në shumë vende zbatimi i ligjit dhe financimi mbeten të dobëta.

Përmirësimet përfshijnë menaxhimin e infrastrukturës energjetike (p.sh., varrosjen e linjave elektrike) dhe praktikat e qëndrueshme të pylltarisë si djegiet e kontrolluara.

Mësimi #7 – Rindërtimi “më mirë” dhe jo vetëm “më shpejtë”

Synimi duhet të jetë rritja e qëndrueshmërisë së zonave të rrezikuara duke vendosur standarde ndërtimi dhe urbanizimi më të forta. Kjo mund të kushtojë më shumë fillimisht, por ul humbjet afatgjata. Planifikimi urban duhet të shmangë gabime si ndërtimi i shtëpive shumë afër njëra-tjetrës, rrugë të ngushta që pengojnë qasjen dhe ndërtimet në pjerrësi të mëdha.

spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

REKLAME

spot_img

Me te lexuarat