Në 9-mujorin 2024, siguruesit polakë kanë paguar dëmsjpërblime me vlerë 36.8 miliardë PLN (8.6 miliardë euro), 11.5% më shumë se një vit më parë.
Sipas Dhomës Polake të Sigurikeve, për shkak të fatkeqësive natyrore të këtij viti, kryesisht përmbytjet e vjeshtës në kig të vendit, pretendimet për dëmshpërblime u rritën me 40%.
“Pas një pranvere të vështirë dhe një vere të stuhishme, në vjeshtë u përballëm me efektet e përmbytjeve në Poloninë jugore. Që nga fillimi i vitit, siguruesit kanë regjistruar shumë ngjarje lokale që kanë të bëjnë me stuhi breshëri, shira të rrëmbyeshëm, por edhe zjarre. Shumë qytete, duke përfshirë Łódź, Bielsko Biała, Wrocław dhe Varshavë, përjetuan përmbytje të forta. Kjo tregon se sa e rëndësishme është mbajtja e një sistemi të pastër kullimi.
Nga ana tjetër, vetëm në sigurimet bujqësore, efektet financiare të ngricave pranverore arritën në 379.64 milionë PLN. Ndërsa shirat e rrëmbyeshëm dhe stuhitë breshëri shkaktuan dëme në bujqësi me vlerë 412.5 milionë PLN,” shprehet Andrzej Maciążek, nënkryetar i bordit drejtues të Dhomës Polake të Sigurimeve.
Pas përmbytjeve në Poloninë jugore, 69 mijë pronarë shtëpish janë kompensuar tashmë.
Shumica e rasteve tani janë mbyllur, por siguruesit ende po marrin aplikime individuale.
“Efektet e plota të përmbytjes do t’i dimë vetëm në disa apo edhe dhjetëra muaj. Shumë njerëz nuk do të kryejnë punë gjithëpërfshirëse rinovimi deri në pranverë. Megjithatë, dokumentacioni po mblidhet, për rastet më të komplikuara, që kanë të bëjnë me sipërmarrësit. Rindërtimi mund të zgjasë disa muaj”, shpjegon Jan Grzegorz Prądzyński, President i PIU.
Deri më tani, dëmshpërblimet e paguara në disa prej dosjeve të dëmeve të regjistruara pas përmbytjes së sipërpërmendur janë ndër rastet më të kushtueshme në nëntë muajt e parë të vitit.